Tani në restorante do paguani 20-30% më shumë

0
78

Të drekosh në restorant në Tiranë tashmë të kushton shumë më shtrenjtë se vjet. Çmimet e larta në restorante po rëndojnë jo vetëm xhepat e konsumatorëve, por edhe emocionet e tyre.

Përfaqësues të Shoqatës së bareve dhe Restoranteve thanë për Monitor se çmimet në restorante janë rritur 20 deri 30%. Tendenca më e lartë e çmimeve është për restorantet në zona të caktuara të kryeqytetit si, ish Blloku apo Komuna e Parisit.

Arsyet e shtrenjtimit mbeten rritja e lartë e çmimeve të produkteve furnizuese, pagat e punëtorëve për shkak të mungesës së tyre. Sipas shoqatës së bareve dhe Restoranteve pagat e kamerierëve deri tani janë rritur 30% më shumë. Ata shtojnë se tendenca e çmimeve po normalizohet për strukturat e shërbimit, që deri tani kanë operuar me çmime të ulëta krahasuar me shtetet europiane.

“Në shërbime, si restorante çmimet janë rritur 20 deri 30% nga shtrenjtimi pa fre i mallrave furnizuese dhe rrogat mbi 30% të punonjësve të shërbimit, që nuk gjenden. Pra është reflektim i gjithë faktorëve që kanë rënduar këtë sektor. Gjithashtu deri më sot restorantet kanë funksionuar me njerëz që nuk janë të sektorit dhe çmime të ulëta. Çmimet po shkojnë drejt nivelit që të drekosh në restorant nuk është më lirë se sa të drekosh në shtëpi. Pra po shkohet drejt një normaliteti të tregut”, pohuan përfaqësues të shoqatës.

Sakaq Shoqata e bareve dhe Restoranteve kishte paralajmëruar më herët se nga marsi pritet rritje e fortë çmimeve, për shkak të kostove të larta nga rritja e pagave dhe shtrenjtimi i mallrave furnizuese.

Sektori i shërbimit të bareve dhe restoranteve, si edhe sektorë të tjerë të ekonomisë po vuajnë problematikën e mprehtë të fuqisë punëtore. Për sektorin e bareve dhe restoranteve sipas të dhënave të shoqatës ka një mungesë prej 15,000 punonjësish, ku shkaku kryesor i vakancave të burimeve njerëzorë, është largimi i popullatës në emigracion. Deri në 2019 sipas të dhënave të INSTAT të punësuar në bare dhe restorante ishin rreth 45,000 persona, ku megjithatë vlerësohet se sektori ka informalitet të lartë.

Krizën e fuqisë punëtore sektori e vuajti edhe periudhën e verës, ku shumë bare dhe restorante të zonave bregdetare u detyruar të punësojnë punonjës nga vendet e rajonit si Mali i Zi, Kosova apo Maqedonia e Veriut, si dhe të rrisin pagat e vendaseve.

Sipas INSTAT, Indeksi i Çmimeve të Konsumit, që mat ndryshimet vjetore, për grupit bare, restorante (katering) ka shënuar rritjen më të lartë gjatë muajve të fundit të paktën që nga viti 2007, kur INSTAT raporton të dhënat. shtrenjtimi më i fortë ishte në periudhën gusht- nëntor 2022, me mbi 6%.

Në vend, sipas INSTAT ka rreth 15 mijë subjekte që ushtrojnë aktivitet në shërbimin ushqimor dhe pije, por rreth 70% e tyre janë barë, që shërbejnë vetëm pije./monitor