Tashmë zyrtare! Sylvinho trajner i Shqipërisë deri në dhjetor të vitit 2025, firmoset marrëveshja

0
57

Tashmë nuk ka më vend për aludime, në lidhje me trajnerin e ardhshëm të Kombëtares së Shqipërisë.

Sylvinho Mendes Campos Junior ka firmosur marrëveshjen me Federatën Shqiptare të Futbollit.

Gazetari i Top Channel, Endi Tufa, mëson se më në fund pas disa javësh negociatash vendimi tashmë është zyrtarë.

Sylvinho është trajner i Shqipërisë deri në dhjetor të vitit 2025.

Njoftimi i Federatës Shqiptare të Futbollit: 

Federata Shqiptare e Futbollit rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares, Sylvio Mendes Campos Júnior, si edhe dy zëvendës-trajnerët, Pablo Javier Zabaleta Girod dhe Dorival Guidoni Junior.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se kontrata e re me trajnerin Silvinjo dhe dy asistentët e tij, Zabaleta dhe Dorival do të zgjasë deri në dhjetorin e vitit 2025 dhe menjëherë do të nisë puna për ndeshjet e UEFA Nations League dhe kualifikueset e Kupës së Botës.

Sfida e parë është UEFA Nations League, me këtë kompeticion që do t’i shërbejë stafit teknik për të përgatitur sa më mirë ekipin për kualifikueset e Botërorit 2026.

Pas suksesit të arritur me kualifikimin në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”, tani synimi kryesor do të jetë një kualifikim historik në finalet e Kupës së Botës 2026.

Arritja e marrëveshjes dhe vazhdimi i projektit tregon vizionin e FSHF-së për të rritur sa më shumë nivelin e ekipit Kombëtar me objektivin kryesor për të arritur të tjera suksese historike në të ardhmen.

Nën drejtimin e trajnerit Silvinjo, Kombëtarja shqiptare ka treguar progres dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme.

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në histori në një Kampionat Europian, ku tregoi performancë të denjë dhe bindëse në takimet kualifikuese si edhe u përballë denjësisht me kundërshtarë të nivelit të lartë në Euro 2024 ndaj Italisë, Kroacisë dhe Spanjës.

Rinovimi i kontratës nënkupton angazhimin e FSHF-së për vazhdimësi dhe stabilitet, ndërsa nis rrugëtimi ambicioz drejt objektivit për një kualifikimin historik në Kupën e Botës 2026.

Më parë për Top Channel, gjatë kohës që trajneri ishte me pushime, burimet konfidenciale konfirmuan se diskutimi ka qenë rreth përmirësimit financiare të kushteve që do të marrë trajneri për vazhdimësinë, kjo edhe në sajë të arritjes së objektivit kryesorë që kishte, kualifikimin në Euro 2024.

Gjithçka është finalizuar ditën e skadimit të kontratës së parë, më 9 korrik.

Sylvinho për Top Channel asokohe deklaroi:

“Kemi folur Endi dhe mund të them që kemi arritur marrëveshjen, por ende nuk kemi firmosur.”

Top Channel