Tavë kosi elbasanase,e famshme ndër shekuj!

0
209

E shijshme, e lehtë, ajo mbush gjithë shtëpinë me aromë të mrekullueshme, përballë shijes së saj dorëzohesh lehtësisht

Është e famshme ndër shekuj Tava e Elbasanit me Kos e Mish Qengji.

Nëse ka një recetë gatimi që është tipike e kuzhinës sonë autoktone e që është gatim i përgatitur vetëm nga amvisat shqiptare, ajo është pikërisht Tava e Kosit.

E pamundur t’i rezistosh kësaj pjate, jo vetëm nëse e ke të servirur në tryezë por edhe thjeshtë nëse e përmend apo e dëgjon diku, kjo tavë mbetet si një ndër gatimet më të jashtëzakonshme tradicionale shqiptare.

Sigurisht, kjo recetë është ndër recetat më të preferuara të shqiptarëve. E madje, thuhet se Tava e Kosit, traditë e qytetit të Elbasanit ishte pjata e preferuar e Ismail Qemalit.

Sipas gojëdhënave të përcjella nga të vjetrit e Kaninës, thuhet se në prag të ditëve të shpalljes së pavarësisë, kur Ismail Qemali mbërriti në Vlorë në vitin 1912, kërkoi t’i gatuanin tavën e vërtetë të kosit të Elbasanit.

Nga ajo ditë, shumë familje shqiptare, sidomos të zonave përreth gatuajnë Tavën e Elbasanit si pjesë të gatimeve tradicionale për festën e Ditës së Pavarësisë.

Më poshtë, AgroWeb.org u sugjeron recetën tipike të Tavës së Elbasanit, e cila mund të gatuhet krejt lehtë në shtëpi.

Si të Përgatisim Tavën e Shijshme të Kosit 

Përbërësit

700 gr mish qengji i freskët (ose mish pule)

150 gramë gjalpë

4 kokrra vezë të freskëta

1200 ml kos i freskët

3 lugë gjelle miell

Një filxhan i vogël kafeje me oriz

Kripë

Piper

Përgatitja e Mishit

Si fillim bëjmë gati mishin. E pastrojmë mirë me ujë të bollshëm dhe e vendosim të prerë në copa në tavë.

Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon që të gjitha copat e mishit t’i lyeni përmes një furçe me gjalpë dhe t’u hidhni pak kripë sipër dhe një një gotë me ujë.

I vendosim në furrë që të piqen dhe i lëmë derisa të marrin ngjyrën e kuqërremtë të pjekjes.

Pasi është pjekur e heqim nga furra dhe përgatisim salcën.

Përgatitja e Salcës me Kos

Kujdesemi që ujin e mbetur në tavën e mishit të pjekur ta heqim mënjanë pasi do të përdoret për përgatitjen e kosit

Vendosim një tenxhere në zjarr dhe shkrijmë gjalpin.

Hedhim miellin dhe e kaurdisim bashkë me gjalpin.

Në momentin që mielli zverdhet pak, AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni me ngadalë lëngun e mishit (të cilit i hedhim edhe gjysmë gote ujë shtesë)

Trazojmë me lugë druri dhe pa ndalesë në mënyrë që të shmangim krijimin e kokërrizave.

Pasi masa bëhet e njëtrajtshme e lëmë të vlojë pak dhe kur salca të jetë trashur e heqim nga zjarri dhe e lëmë të ftohet.

Më pas, në një tas hedhim hedhim vezët dhe i rrahim fort derisa të njëtrajtësohen.

Shtojmë kripën, pak gjalpë, piperin dhe kosin dhe i përziejmë të gjitha bashkë.

Më pas, shtojmë salcën me miell dhe vijojmë t’i përziejmë derisa masa të jetë unison.

Përgatitja e Tavës

Në tavën ku kemi mishin pjekur hedhim orizin, e shpërndajmë në të gjithë tavën në mënyrë të rregulltë.

Përzjejmë edhe mishin nga të dyja anët me oriz dhe në të gjithë tavën shtrojmë salcën e përgatitur të kosit.

Sipër i hedhim pak gjalpë të prerë në copëza të vogla.

Ndërkohë sigurohemi që furra të jetë e nxehtë në 2o0 gradë dhe fusim tavën të piqet përreth 30 minuta derisa në sipërfaqe të marrë ngjyrë të kuqërremtë.

Pasi fikim furrën, tavën e lëmë edhe pak për t’u mpiksur mirë në nxehtësinë e sobës e më pas e servirim të ngrohtë.

Pergatiti:Elbasaniflash.al

Burimi:Agro web