Nëse do të kemi fatin t’ia dalim, nga ana financiare nuk do të jetë aspak keq.
Shqipëria premton shifra të rëndësishme për një kampion olimpik, dhe vendimi I qeverisë është që medalja e artë shpërblehet me 10 milionë lekë, pra afërsisht 100 000 euro.
Ndoshta ia del Luiza Gega, por shanse më të mëdha duket se kanë 3 mundësit si Abakarov, Dudajev dhe Alijev.
Kosova gjithashtu jep 100 000 euro, dhe shanset I kanë ato që dolën kampione olimpike në Tokio në 2021, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.
Gjithsesi, nivelet më të larta I kanë disa vende nga Azia Jugore apo Lindore.
Singapori ka premtuar deri në 1 milionë dollarë në rast të artë, diçka vërtet e jashtëzakonshme, ndërsa deri në Olimpiadën e kaluar niveli arrinte në 650 000 dollarë.
Hong Kongu jep 700 000 dollarë për kampionët olimpike, dhe këtë herë këtë shpërblim e meriton shpatarja Vivien Kong Man Vai.
Ajo fitoi të artën në një nga garat individuale për femra, dhe kjo është medalja e tretë e artë olimpke për Hong Kongun në histori.
Vendet e mëdha olimpike kanë shpërblime më të vogla.
Shtetet e Bashkuara japin nga 37 500 dollarë për kampionin olimpik, Australia u dorëzon nga 20 000 dollarë, ndërsa britanikët nuk fitojnë asgjë.
Vetë Franca, vendi organizator, u jep nga 80 000 euro kampionëve olimpike, e diçka më shumë Spanja apo Greqia.
Federata Botërore e Atletikës ishte e para që njoftoi se do t’i shpërblente sportistët e saj që merrnin medalje në Paris 2024.
Për këto shpërblime u caktua një fond me vlerë 2.4 milionë USD, dhe medalistët e artë këtë herë do të marrin nga 50 000 dollarë, ndërsa stafetat do ta ndajnë në katër këtë shumë.
Po ashtu, edhe Federata Ndërkombëtare e Boksit e cila ka caktuar 100 000 dollarë për medalistët olimpike, por vetë kampionët do të marrin gjysmën, ndërsa gjysma tjetër do të ndahet mes trajnerit dhe Komitetit Olimpik vendas./abcnews.al