Edhe pse jetojnë thuajse në qendër të Elbasanit, banorët e Lagjes “Brigada e 17-të sulmuese “ ankohen për mungesën e investimeve nga bashkia. Thonë se në ditët me shi veshin çizme për të hyrë e dalë nga lagjia që sipas tyre është braktisur.
Këto pamje vijnë vetëm disa metra larg qendrës së Elbasanit.
Tregojnë gjendjen në lagjen “Brigada e 17-të sulmuese”.
Rrugë të prishura, plot gropa me ujë.
Kjo në ditët me diell, pasi kur nisin reshjet banorët thonë se duhet të përdorin çizmet.
“Kur bie shi mbushet plot me ujë, marrim çizmet deri aty, pastaj këpucët matanë. 30 vjet që nuk është asfaltuar. Baltë dynjanja, si në fshat në mes të qytetit. Kryetari i bashkisë thotë do ta bëj, kur?”
Banorët thonë se premtimet për ndërhyrje kanë qenë të vazhdueshme, por Bashkia Elbasan nuk e ka mbajtur kurrë premtimin.
Zhgënjimi i bën të shpërthejnë në akuza.
“Rruga kështu ka qenë dhe kështu do të mbetet. Bashkia e Elbasanit e korruptuar atje ku nuk ka të shkojë më së bashku me Edi Ramën.”
Përmirësimi i infrastrukturës ishte një prej prioriteteve të kryebashkiakut të Elbasanit, por duket se shumë premtime do të të mbeten në letër.
Ose bashkia do të kujtohet për to në prag të fushatës elektorale me synim mbledhjen e votave.
Ora news