Të dhënat e Eurostat: Maqedonia e Veriut kryeson për investimet e huaja nga BE, Shqipëria nga fundi

0
5

Deri në fund të vitit 2023, stoku i investimeve të huaja direkte nga vendet e Bashkimit Europian në Shqipëri arriti në gati 6 miliardë euro. Kjo shifër përfshin investimet totale që janë bërë në vite nga shtete të ndryshme të BE-së.

E dhëna është bërë e ditur në bazën e të dhënave të Eurostat. Vetëm në vitin 2023, investimet e huaja nga vendet e BE-së në Shqipëri ishin 457 milionë euro.

“Monitor” ka krahasuar stokun e investimeve të huaja nga BE në vendet e rajonit, në raport me madhësinë e ekonomisë përkatëse (prodhimin e brendshëm bruto-PBB) për të parë se cili shtet ka arritur të tërheqë më shumë investime në periudhën e tranzicionit.

Nivelin më të lartë të investimeve të huaja e ka pasur Maqedonia e Veriut, stoku i të cilës është sa 29.3% e PBB-së në fund të vitit 2023.
Maqedonia e Veriut ka fituar shpesh garën e investimeve të huaja me Shqipërinë vitet e fundit, duke ofruar një sistem më të thjeshtë fiskal, zona të lira ekonomike, lehtësi tatimore, madje duke reklamuar dhe dalje në det nga Porti i Durrësit. Shumë kompani që tentuan të hynin në Shqipëri vitet e fundit, si kompania amerikane Johnson Control në prodhimin e pjesëve automotive, kanë hapur disa fabrika në Maqedoni.

 

 

Jo vetëm investimet e huaja, por edhe shumë sipërmarrës shqiptarë u joshën nga politikat e Maqedonisë për tërheqjen e investimeve të huaj.
Serbia është shteti i dytë që ka arritur të tërheqë më shumë investime të huaja nga vendet e BE-së, duke “marrë” dhe ajo investitorë që kishin shfaqur interes për Shqipërinë, si “Geox”, apo “Ferrero Rocher”.

E treta në rajon renditet Mali i Zi, me 26.2% të PBB-së. Ndërsa Shqipëria, me 26% të PBB-së lë pas vetëm Bosnjë Hercegovinën, e cila dhe për shkak të probleme të saj mes dy entiteteve ka arritur të tërheqë vetëm 1706% të PBB-së investime të huaja deri në fund të vitit 2023.

Investimet e BE-së në botë
Sipas Eurostat, stoku neto i investimeve të huaja direkte (IHD) të mbajtura në vendet jo-BE nga investitorë rezidentë në BE arriti në 9 160 miliardë euro në vitin 2023, duke reflektuar një rënie prej 4.1% nga viti 2022 (9 551 miliardë euro).

Një tendencë e ngjashme ishte e dukshme dhe në stokun e investimeve të mbajtura nga rezidentë jo-BE në BE, të cilat u ulën në 7 446 miliardë euro në 2023, me një rënie prej 5.4% krahasuar me vitin 2022 (7 874 miliardë euro).

Në vitin 2023, pozicioni neto i investimeve të BE-së kundrejt pjesës tjetër të botës mbeti relativisht i qëndrueshëm, me një rritje prej 2.2% krahasuar me vitin 2022.

Në fund të vitit 2023, Shtetet e Bashkuara thithën 26.6% (2 437 miliardë euro) të totalit të stokut të IHD-ve të mbajtura nga BE-ja në pjesën tjetër të botës, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar (1 765 miliardë euro, 19.3%).

Më pas renditej Zvicra (755 miliardë euro, 8.2%), Brazili (312 miliardë euro, 3.4%) dhe Singapori (263 miliardë euro, 2.9%). Më shumë se 2% e stokut të investimeve të BE-së shkoi në Kanada (2.7%), Kinë përveç Hong Kongut (2.5%), Rusi (2.4%), Bermuda (2.3%), Meksikë (2.3%) dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (2.0 %). /Monitor/