Të dhënat e INSTAT/ Nga 2007-2021, shpenzimet e familjeve me arsim të lartë janë rritur vetëm 4.1%

0
87

Nga viti 2007 më 2021 shpenzimet mujore të familjeve shqiptare me arsim të lartë janë rritur me ritme shumë të ulëta në krahasim me familjet që kanë një nivel më të ulët arsimor.

Në vitin 2021 një familje me arsim të lartë dhe pas universitar kishte shpenzime mesatare mujore 109,208 lekë, nga 104,877 lekë në vitin 2007 me një rritje vetëm 4.1%. Të dhënat zbulohen në anketën e INSTAT për shpenzimet mujore të familjeve në “Anketën e Buxhetit të Familjeve.

Siç shihet nga të dhënat e grafikut , rritjen më të madhe të shpenzimeve mujore e kishin familjet me arsim 8-9 vjeçar me rreth 24% për periudhën në fjalë. Në vitin 2021 një familje me arsim fillor shpenzoi mesatarisht në një muaj 75,109 lekë, nga 60.501 lekë në vitin 2007.

Më tej rritjen më të lartë të shpenzimeve mujore sipas nivelit arsimor të kryefamiljarit e kishin ato me arsim të mesëm profesional. Shpenzimet mujore në këtë grup familjesh u zgjeruan me 14.8% përgjatë 14 viteve.

 

 

Mirëpo të indeksuara me inflacionin shpenzimet reale vijnë me ulje sidomos për familjet me arsim të lartë dhe ato me arsim të mesëm të përgjithshëm.

Siç shihet shpenzimet mujore në familjet shqiptare kanë pësuar një rritje mjaft të lehtë në 15 vitet, të ndikuara nga pagat e ulëta të cilat kanë mbetur në vendnumëro.

Ecuria e shpenzimeve të familjeve në dy dekadat e fundit tregon se ekonomia e vendit ka mbetur në kurthin e produktivitet duke mos gjeneruar punë më vlerë të lartë.

Të dhëna më të detajuara nga statistikat e punësimit tregojnë se papunësia është e mjaft e përhapur tek personat e arsimuar dhe se kërkesa për punë në këtë grup nuk përkon me ofertën.

Vendet e lira të punës kërkojnë krah punë me aftësi të ulët, të tillë si punonjës në fabrikat e fasonit dhe njësite e shërbimeve, teksa mungon oferta në kompanitë e teknologjisë dhe sektorëve që gjenerojnë paga të larta.

Ambienti me paga të ulëta dhe mungesë produktiviteti është bërë shkak për një rikthim me intensitet të lartë të emigracionit sidomos në grupet e reja të popullsisë.

Një familje me arsim të lartë në vitin 2021 shpenzoi 45 për qind më shumë se një familje me arsim 8/9 vjeçar. Por tregu i punës aktualisht gjeneron më shumë mundësi për punonjësit me nivel të ulët arsimi se sa ato me nivel të lartë./Monitor