Të enjten 33 mijë maturantë testojnë njohuritë në Gjuhën e Huaj, 7 mijë administratorë

0
211

Të enjten nisin provimet e Maturës Shtetërore.

Rreth 33 mijë maturantë do të testojnë njohuritë në Gjuhën e Huaj.

Anila Alliu: Këta maturantë nga 489 shkolla publike dhe private do të grupohen në 167 qendra provimi ku në dispozicion të tyre do të jenë dhe 2 mijë e 200 salla provimi.

Provimi do të nisë në orën 10 ndërsa maturantët duhet të paraqiten në institucionet arsimore 1 orë e gjysmë më herët.

Anila Alliu: Do të zgjasin 2 orë e 30 minuta, pra përfundojnë në orën 12 e 30. Nxënësit duhet të paraqiten 1 orë e 30 minuta para në qendrën e provimit. Duhet të kenë mjetet e punës dhe gjithashtu mjet identifikimi.

Anila Alliu, Specialiste në Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Paraunivesitar thotë se për mbarvajtjen e provimit do të angazhohen 7 mijë punonjës arsimorë të cilët janë trajnuar më herët.

Anila Alliu: Ka detyra të ndryshme si përgjegjës administrimi, administrator salle, administrator sekretimi.

Edhe këtë vit struktura e testit nuk ndryshon. Përbëhet nga 60 pikë dhe maturantët duhet të sigurojnë 25% të tyre për të kaluar.

Anila Alliu: Përveç fletës së testit plotëson dhe një fletë vetëm për pyetjet me alternativa. Kjo do të mundësojë korrigjimin digjital.

Para nisjes së provimit maturantët do t`i nënshtrohen kontrollit fizik. Nëse konstatohet me celular, ndryshon vendin që i është caktuar, kopjon apo bën komente për përmbajtjen e testit ai përjashtohet nga provimi.