Velagoshti, një nga fshatrat më të mëdhenj për nga shtrirja gjeografike në Bashkinë e Kuçovës, duket si një realitet paralel ku koha duket sikur ka ngecur njësoj se dekada më parë.
Mbi tre dekada demokraci, askush nga përfaqësuesit e pushteteve që janë ndërruar njëri pas tjetrit, nuk është kujtuar për këta banorë për të siguruar edhe nevojat më bazike për të jetuar. Në fund të vitit 2024, këta banorë janë të etur ende për ujë dhe për rrugë.
“I kemi ngritur problemet tona, sot e kaq vjet përpara. Edhe pleqtë tanë. Ne nuk duam asgjë tjetër prej qeverisë, prej bashkisë. Duam vetëm të bëhet rruga, duam edhe ujë. Nuk i kërkojmë as bukë, as lekë. Këtë duam ne, por këta po bëjnë mënyra nga më çnjerëzoret për arsye për të detyruar njerëzit ta braktisin këtë fshat.”
“Ne duam rrugë o babam. Rrugë dhe ujë, që të ngopet dhe fshati. Unë kam pus, por më vjen keq edhe për të tjerët që nuk kanë ujë. Ne duk duam kosha plehrash këtu? Duam. Po vuajmë shumë o djalë.”
Përveç vështirësive të përditshme, mungesa e rrugës dhe ujit, ka penalizuar edhe djemtë e Velagoshtit që po mbeten pa martuar.
Kur i pyet nëse zhvillohen dasma në fshat banorët të japin këtë përgjigje: “Joo, s’ka dasma këtu. Ata po rrinë pa martuar të tërë. Të tërë çunat pa martuar. S’ka dasma fare, hiç. Nuk vete thotë atje lart prej punës së rrugës.”
Sakaq edhe vjelja dhe shitja e ullinjve, një nga kulturat bujqësore me të cilat nxjerrin të ardhurat këto familje, është mjaft e vështirë për shkak të mungesës së infrastrukturës. (A2 Televizion)