Në Stravaj të Përrenjasit banorët thonë se jetojnë si të izoluar, ndaj vit pas viti fshatrat po braktisen.
Të rinjtë nuk shohin të ardhme, e të moshuarit nuk marrin asnjë shërbim.
“Më harruar s’ka , të më pyesësh mua ti që i di të gjitha punët,” thotë një i moshuar.
Shkolla është mbyllur për shkak të mungesës së fëmijëve ndërsa qendra Shëndetësore thonë se nuk u ndërtua kurrë.
“Është mbyllur shkolla, qendër shëndetësore nuk ka fare,” thotë një banor.
“Këtu nuk del as doktor, as kryeplak, as agronom asnjë,” thotë i moshuari.
Në rrugën e hapur vetë rreth 5 dekada më parë sipas tyre nuk është vënë dorë kurrë.
“Këtu ka shumë vite që nuk bëhet punë, asnjë se kap me dorë, kush ta kapë të vdekurit? Kanë ikur njerëzit, s’ka më këtu,” thotë një tjetër.
Premtime kanë marrë herë pas here por asnjë punë nuk ka bërë asnjë institucion.
“Të gjithë deputetët që vijnë këtu t’i numëroj një për një kanë premtuar,” thotë i moshuari.
“Vijnë sa për të marrë votat, i futin në xhep edhe ikin,” thotë banori.
Nuk shpresojnë se diçka do të ndryshojë.
“Para shumë kohë edhe mund të kem pasur disa shpresa, por tani është pak e vështirë,” thotë një banor tjetër.
Periudha e dimrit është më e vështira për banorët pasi dëbora i izolon tërësisht nga pjesa tjetër.
ora news