Eligerta Sadija është një 23-vjeçare drejt përfundimit të Universitetit, në degën “Shkenca Juridike”.
Por, duke qenë se ajo është me aftësi të kufizuara, jetesa e saj në qytetin e Elbasanit, nuk është aspak e lehtë.
Problemet nisin që tek gjetja e një shtëpie me qira, të përshtatshme për të.
“Gjetja e një shtëpie me aksesin e duhur që të përshtatet për një person me aftësi të kufizuara,” thotë Eligerta.
Me probleme të shumta përballet edhe gjatë lëvizjes në qytet, ku Bashkia nuk ka krijuar kushtet e duhura për këtë kategori, edhe pse sipas ligjit vendas pushteti lokal duhet të sigurojë qasjen në çdo hapësirë publike edhe për personat me aftësi të kufizuara.
“Domethënë e vë jetën time në rrezik duke ikur në rrugë,” thotë ajo.
Ndonëse një studente e shkëlqyer, Eligerta është në dilemë të madhe për të ardhmen dhe punësimi ne saj.
“Jam ende në dilemë se çfarë do bëhet me shkollimin tim. Nuk e di për punësimin është shumë e vështirë në vendin tonë, nuk respektohen personat me aftësi të kufizuara,” thotë Eligerta.
Ajo ndihet e lënë pas dore nga shteti, dhe e paragjykuar nga shoqëria shqiptare.
“Më vjen keq që nuk dëgjohemi, më vjen shumë keq që nuk shihemi nga politikanët e mëdhenj dhe jemi si një pengesë mund të them sepse bullizohen më shumë, paragjykohen,” shprehet ajo.
Sipas një raporti të fundit të 2019 të bërë nga Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, mbështetur nga BE Shqipëria numëron rreth 144.135 persona me aftësi të kufizuar.
Ora news