Të lënë pas dorë prej 24 vitesh/ Bashkia e Elbasanit lë pa investime lagjen “Skënderbej”

0
228

Të jetosh në lagjen “Skëndërbej” në Elbasan është kthyer në një sfidë më vete. Shkak për këtë është bërë mungesa e ndërhyrjes në infrastrukturë, kanalizime, pastrim si dhe ndriçim.

Banorët mbajnë mend se investimi i fundit i bërë këtu daton që në vitin e largët 1996.

“Në vitin ’96 është shtruar rruga, tani shiko se çfarë bëjmë, mbushim gropat vetë ne, privatisht”, shprehet banori.

Këto gropa që përshkojnë të gjithë rrugën kryesore gjatë dimrit mbushen me ujë ndërsa në verë krijojnë pluhur. Të ecësh në të është shumë e vështirë, sidomos për fëmijët.

“Shumë e vështirë është, shumë por çfarë t’i bëjmë”, shprehet banorja.

Të tjerë banorë thonë se ndjehen të harruar nga bashkia e Elbasanit dhe nga kryebashkiaku të cilin ende nuk e kanë parë në këtë lagje qoftë edhe për tu njohur me gjendjen këtu, edhe pse ka më shumë se një vit në krye të bashkisë së Elbasanit.

“Nuk kujdesen fare. Rrugët janë për ibret”

“Kemi një kërkesë në bashki dhe i kemi thënë hajde shikoje, janë gjithë këto shtëpia dykatëshe, trekatëshe, po investojmë edhe neve, vetëm ju vazhdoni punën”, janë shprehur banorët.

Në këtë lagje jeton një numër i madh banorësh ndaj edhe investimet janë të domosdodhme të jenë të shpeshta, por deri më tani në të nuk është vënë dorë duke i lënë këta qytetarë që paguajnë taksa në mes të gropave dhe baltës.