“Të pastër”/ KPK konfirmon në detyrë gjyqtaren e Elbasanit

0
558

Gjyqtarja e Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan Yrfet Shkreli u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas një seance të shkurtër dëgjimore gjatë të cilës KPK nuk vuri në dukje probleme në asnjë prej kritereve.

Trupa e kryesuar nga Suela Zhegu, me relatore Genta Tafa Bugo dhe anëtar Roland Ilia, njoftoi vendimin për Shkrelin të mërkurën.

Yrfet Shkreli përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2015 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës. Ajo e ka nisur karrierën si gjyqtare në Gjykatën e Përmetit, dhe tashmë shërben në Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan.

Po ashtu, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të mërkurën konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës Ylli Bashaj.

Gjatë seancës dëgjimore Bashaj u përball në KPK me pyetje kryesisht mbi koherencën dhe vërtetësinë e një kontrate për blerjen e një shtëpie në vitin 2000. Nga hetimi administrativ i trupës së kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me anëtare Valbona Sanxhaktari dhe relatore Genta Tafa Bungo, u vunë në dukje ndryshime në deklarime dhe një pagesë shtesë pas nënshkrimit të kontratës.

KPK megjithatë ka vlerësuar se problemet e gjetura ishin sqaruar dhe vendosi konfirmimin e Bashajt në detyrë.

Bashaj ka një karrierë të gjatë në prokurori e cila është zhvilluar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë dhe në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.