Të rinjtë flenë në kuzhinë/ 70 për qind e të rinjve shqiptarë nuk kanë një dhomë të tyren

0
181

Të rinjtë shqiptarë janë të dytët në Ballkanin Perëndimor që vuajnë nga fenomeni i jetesës në shtëpi të mbipopulluara.

Statistikat e bëra me dije nga Eurostat tregojnë se gati 70% e të rinjve nga mosha 15 – 29 vjeç nuk kanë një dhomë të posaçme tyren në shtëpitë ku jetojnë.

Kjo përqindje është shumë më e lartë se mesatarja e bashkimit europian në 26%. Grupmosha që vuan më shumë nga fenomeni përfshin ata në intervalin 15 –19 vjeç.

Ndërkohë për grupmoshat e tjera të popullsisë përqindja është më e ulët në 51.8%, ndërsa mesatarja e BE qëndron në 17%. Në Ballkan përpara nesh me përqindje më të madhe qëndron Mali  Zi, ndërsa vendin e tretë e zë Serbia.

Por Shqipëria shkëlqen në një indikator tjetër. Bashkimi Europian mat edhe mbingarkesën e kostos së banesës, që përcakton përqindjen e të rinjve dhe popullsisë në tërësi, që harxhojnë më shumë se 40% të të ardhurave të gjithë familjes për banesën. Në Shqipëri vetëm 4.6% e të rinjve kanë këtë kosto mbi supet e tyre, duke harxhuar mbi gjysmën e të ardhurave për shtëpinë, ndërsa për popullsinë në tërësi niveli është 3.8%.

Mesatarja e BE ndërkohë është 9.7% për të rinjtë dhe 8.3% për popullsinë në tërësi. Në këtë aspekt jemi të parët në Europë për kostot më të ulëta si edhe në Ballkanin Perëndimor.

 

Top Channel