Duke nisur nga dita e shtunë (29 korrik) deri më datë 3 gusht, çdo maturant mund të aplikojë në portalin UAlbania për të zgjedhur listën e 10 degëve ku dëshiron të studiojë. Rezultatet e provimeve, mesatarja, por edhe statistikat e viteve të kaluara i ndihmojnë maturantët që të orientohen më mirë në degët që duan dhe degët që mund të arrijnë.
Këtë vit Qeveria ka miratuar vendimin për të dhënë një bursë sa paga minimale mujore për studentët që do të zgjedhin degë si mësuesia, bujqësia apo turizmi dhe ka hequr edhe kushtin që nxënësit të kenë dhe të ruajnë mesataren 8.5 gjatë viteve të studimit për degët prioritare.
Ndërkohë është hequr gjithashtu edhe kriteri që duhet ta ruajë mesataren përgjatë studimeve. Në VKM-në ekzistuese maturantët për të vazhduar që ta marrin edhe vitin e dytë edhe vitin e tretë bursën, duhet të ruajnë mesataren që kanë nga shkolla e mesme. Ndërkohë që tani, edhe nëse një student vitin e parë mund të ketë rënë nga mesatarja 8.5 në 8, ai do të vazhdojë të mbështetet me bursë edhe vitin e dytë, edhe në vitin e tretë.
Gjithashtu këtë vit, për herë të parë do të ketë edhe një kredi studentore, e cila do të mbulojë tarifën e studimit dhe kostot e jetesës për ndjekjen e një programi studimi.