Real Madrid turpëron Barçën në “El Clasico”, bën për vetë Superkupën e Spanjës, për më tepër më një futboll spektakolar, me një fitore me “poker” golash që nuk lë vend për koment. Carlo Ancelotti siguroi trofeun e tij të 11-të në krye të Realit, ndërsa shijoi një super Vinicius Jr, autor i një “triplete”. Braziliani ishte në një mbrëmje fantastike, realizoi tre gola, fitoi një 11-metërsh, dhuroi një asist, praktikisht bëri gjithçka.
Ancelotti kapi “mat” Xavi-n që në minutën e 7-të me një kundërsulm të shpejtë të finalizuar nga Vinicius Jr. Tre minuta më pas, me një aksion thuajse fotokopje, Vinicius Jr realizoi edhe golin e dytë, këtë herë i shërbyer nga Rodrygo. Barcelona u përpoq të rikthehej në lojë me Robert Lewandowski-n, polaku realizoi një super gol në minutën e 33-të duke ngushtuar shifrat në 2-1. Festa nuk zgjati shumë pasi në të 39-të, Vinicius Jr fitoi një penallti. Nga pika e bardhë, ylli brazilian u tregua i saktë duke kompletuar “tripletën” e tij personale. Në pjesën e dytë, në minutën e 64-të, ishte Rodrygo që brenda në zonë realizoi edhe golin e katërt për Real Madrid.
Si të mos mjaftonte dominimi i Realit, Barça mbeti me 10-të lojtarë pas minutën e 71-të teksa Araujo u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë duke bërë që pjesa e mbetur e sfidës të mos kishte shumë histori, me Realin që festoi në Riad me trofeun e Superkupës në duar. Spektakli vijoi këtë të hënë edhe në të përditshmes spanjolle, ku dy mediat pranë Barcelonës, Mundo Deportivo dhe Sport kritikuan ashpër ekipin e Xavi-t:
“SuperKo”, shkruan Sport në faqen e parë. “Të turpëruar”, ishte titulli i përzgjedhur nga Mundo Deportivo.
(BalkanWeb)