Cigare, kafe, pije alkoolike e karburante. Shqiptarët nga viti në vit po bëhen më të varur ndaj këtyre produkteve, importi i të cilave është rritur ndjeshëm edhe në 6 muajt e parë të vitit.
13 mijë tonë më shumë karburante, 2900 ton birrë, 101 ton kafe dhe 95 ton më shumë cigare u blenë nga jashtë vendit për të plotësuar rritjen e konsumit në vend
“Vazhimi i periudhës inflacioniste, kjo ndikon në vlerësimin e produkteve që importohen por dhe taksën. Ne kemi rritje në sasi të mallrave të akcizës dhe kjo i dedikohet ekonomisë që po rikap ritmin që humbi gjatë pandemisë. Konsumi i produkteve më shumë ndikohet edhe nga zhvlerësimi i euros. Cmimi i produkteve që vin nga jashtë janë më të lira dhe kanë shtuar sasinë,” shprehet Pano Soko, ekspert ekonomie.
Të ardhurat nga akciza, TVSH në import, taksat doganore por dhe renta minerare ndikuan drejtëpërsëdrejti në buxhetin e doganave. Por treguesi më domethënës për kërkesën e brendshme dhe performancën e të ardhurave janë mallrat e akcizës që kanë kontributin kryesor. Karburantet vijojnë të mbajnë peshën kryesore.
“Baza e energjisë sic janë karburantet dhe energjia elektrike reflektojnë gjendjen e ekonomisë dhe trendin e ecurisë së ekonomisë.”
Drejtoria e Përgjithshme e doganave arkëtoi në 6 muajtë e parë të vitit në buxhetin e shtetit në total 110 miliardë lekë, 7 miliardë më shumë se janar-qershor 2023. Me këtë rezultat ky institucion realizoi 0.2 % më shumë se të ardhurat e planifikuara doganore për janar-qershor 2024.