Pikat kufitare mes Lituanisë dhe Bjellorusisë do të mbeten të mbyllura deri në fund të nëntorit, si përgjigje ndaj shkeljeve të fundit të hapësirës ajrore të shkaktuara nga balonat e përdorura për kontrabandë, njoftoi ditën e sotme qeveria e vendit baltik.
“Nuk përjashtohet mundësia që masa të zgjasë për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, deklaroi për gazetarët kryeministrja Inga Ruginiëne.
“Nëse vazhdojmë të shohim sulme të drejtuara ndaj Lituanisë, do të vijojmë me këtë masë të rreptë,” shtoi ajo.
Shërbimi doganor i Bjellorusisë e quajti këtë vendim “politikë të pamend dhe armiqësore”, duke paralajmëruar se do të dëmtojë bizneset në rajon.
Balonat, që transportonin pako cigaresh të mbështjella me shirit ngjitës, kanë shkaktuar pesë herë mbylljen e aeroporteve gjatë këtij muaji në Lituani, vend anëtar i Bashkimit Evropian me 2,9 milionë banorë.
Policia ka arrestuar pesë persona të dyshuar për kontrabandë, të cilët kishin shkuar për të marrë balonat pas uljes së tyre, ndërsa ndaj tyre janë vendosur gjoba që arrijnë deri në disa mijëra euro.
Ruginiëne deklaroi të hënën se këto incidente përbëjnë një formë “sulmi hibrid” dhe se vendi i saj do të fillojë së shpejti t’i rrëzojë këto balona.
“E kuptojmë që kjo është e pakëndshme për qytetarët dhe bizneset tona, dhe na vjen keq për këtë, por siguria kombëtare është prioritet,” theksoi ajo gjatë mbledhjes së kabinetit.
Nga mbyllja e kufijve përjashtohen diplomatët, qytetarët e BE-së, vendeve anëtare të NATO-s dhe Ukrainës që largohen nga Bjellorusia, si dhe transporti drejt enklavës ruse të Kaliningradit dhe të huajt me viza humanitare lituaneze, sqaroi qeveria.
Presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko e quajti vendimin e Lituanisë për mbylljen e kufirit “mashtrim të çmendur” dhe akuzoi Perëndimin se po zhvillon një “luftë hibride” kundër Bjellorusisë dhe Rusisë, që po çon drejt një “epoke të re ndarjeje me tela me gjemba”.


