Reshjet e dendura të shiu ditën e sotme kanë shkaktuar problematika të shumta në disa qarqe të vendit.
Durrësi u paralizua nga përmbytjet: rrugët kryesore, lagjet dhe autostrada Tiranë-Durrës u bënë të pakalueshme. Disa shkolla e tregje pezulluan aktivitetin. Edhe kati i parë i burgut u detyrua të evakuohej pasi vërshoi uji.
Sakaq, sipas Institutit të Gjeoshkencave, reshje intensive shiu priten deri paraditen e së enjtes.
- “Do të vazhdojë të jetë kritike për shkak të intensitetit të shtuar të reshjeve, të cilat kryesisht janë të fokusuara në veri dhe në jug të vendit, ndërsa në qarkun e Gjirokastrës dhe të Vlorës presim që të kemi reshje intensive dhe lokalisht shkojnë shumë intensive”, u shpreh Anira Gjoni, specialiste e IGJEO.
Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave.
Situata problematike do të vijojë edhe në qarkun e Durrësit, edhe pse intensiteti i reshjeve është më i ulët.
- “I gjithë qarku i Durrësit, pritet që reshjet të vijojnë përgjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme të jenë mesatare dhe lokalisht shkojnë deri intensive. Kjo sjell edhe problematika sa i takon qendrave urbane për shkak të vërshimit të shpejtë të ujit”, sqaron specialistja.
Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë do të ketë rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë e vendit, ku më problematikë situata do të paraqitet në lumenjtë Drin-Buna dhe Liqenin e Shkodrës.
Sipas specialistëve të IGJEO, të enjten temperaturat pësojnë ulje të ndjeshme dhe reshjet e shiut do të zëvendësohen me reshje dëbore.


