Helmimi nga ushqimi është një nga rreziqet më të zakonshme gjatë stinës së verës, i cili mund të prekë këdo në rast pakujdesie ndaj produkteve ushqimore. Mospërdorimi i ambienteve të përshtatshme për ruajtje dhe blerja e ushqimeve në vende të pasigurta janë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në përhapjen e problemeve shëndetësore.
“Çdo ndryshim stine japin disa klinika dhe shenja të cilat paraqiten tek pacientët, duhet të kemi shumë kujdes sidomos në konsumimin e ushqimeve të cilat mos të jenë të ndenjura”, tha mjeku Ergys Mici.
Mjekët në Elbasan këshillojnë qytetarët që në rast se shfaqin simptoma të helmimit, si të vjella, dhimbje barku apo temperaturë, të paraqiten menjëherë pranë një qendre shëndetësore për ndihmë mjekësore, pasi pasojat mund të jenë serioze.
Frutat si qershitë dhe shalqiri janë ndër produktet sezonale që kërkojnë kujdes të veçantë në konsum, pasi shpeshherë mund të shkaktojnë helmime të rënda.
Sipas mjekëve, edhe gjatë vitit të kaluar janë paraqitur raste helmimi në Urgjencën e Elbasanit për shkak të konsumimit të ushqimeve të pasigurta. Kujdesi ndaj produkteve ushqimore nuk është thjesht një masë paraprake, por një domosdoshmëri për të mbrojtur shëndetin gjatë verës.