SPAK ka marrë në pyetje ish-deputetin e PS-së, Alqi Bllako lidhur me hetimet që po kryen për tenderin e EcoPark në Durrës. Siç raportohet SPAK ka marrë dëshminë e Alqi Bllakos 10 ditë më pare, ku ish-ligjvënësi u mor në pyetje në cilësinë e drejtorit të AKUM, për më shumë se tre orë.
Në 2019, qeveria vendosi të mbyllë landfillin e Porto Romanos dhe të ndërtojë Eko Parkun. AKUM shpalli tenderin në tetor 2019, por e anuloi më vonë. Qeveria mori vendim që tenderi të bëhej me negocim të drejtpërdrejtë. Tenderi me vlerë 18.5 mln euro iu dha kompanive ‘De Mare’ dhe ‘Victoria Invest’. Alqi Bllako ndërkohë ndodhet në burgun e Durrësit, i akuzuar për korrupsion e vepra të tjera penale lidhur me inceneratorin e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit.
Bllako akuzohet për kryerjen e veprës penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publikë” në lidhje me hetimet për inceneratorin e Tiranës. Në datë 20 dhjetor, GJKKO kaloi për gjykim dosjen në ngarkim të Bllakos, për korrupsion kryer në dy raste. Nga hetimet, ka rezultuar se Bllako në cilësinë e sekretarit të ministrisë së Mjedisit ka përfituar shumën prej 120 mijë euro për favorizimin që i ka bërë dy pronarëve që përfituan të drejtën për ndërtimin e inceneratorit, Klodian Zotos e Mirel Mërtirit. Ndërsa në rastin e dytë, ka rezultuar se Bllako i ka kërkuar rryshfet Klodian Zotos, shumën prej 7.5 milionë Lekësh për llogari të Vladimir Bezhanit, duke e punësuar atë fiktivisht tek shoqëria “Integrated Technology Services”.
Në muajin prill, SPAK çoi për gjykim një pjesë të të akuzuarve për inceneratorin e Tiranës mes të cilëve edhe ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka, si dhe disa ish-zyrtarë të bashkisë së Tiranës dhe anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave. Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako akuzohet se ka përfituar afro 14 milion e 600 mijë lekë pasi ka falsifikuar dokumente për të shpronësuar një tokë për ta kthyer nga një tokë arë në truall në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka e kryetarin e shpronësimeve, Pëllumb Abeshi për Inceneratorin e Elbasanit. Bllakos iu caktua dënimi me 2.8 vite burg dhe 5 vite heqje e së drejtës për të ushtruar funksione publike për këtë aferë. Ndërkohë që është dënuar me 2.8 vite burg për inceneratorin e Fierit.