Përveç skemës mes kompanive, denoncimi i deputetëve të opozitës parlamentare për tenderin e uniformave të policisë hedh dritë edhe mbi përfshirjen e zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Brendshme për të ndikuar tek rezultati final i garës.
Në kallëzimin e dorëzuar në SPAK, ministri Sandër Lleshaj akuzohet për 5 vepra penale, duke nisur nga korrupsioni i funksionarëve të lartë shtetërorë.
Fituese e tenderit u shpall kompania D&E shpk, me një oferte prej 26 milionë dollarësh 5 milionë dollarë më shumë se kompania turke Genç Taahhüt Giyim.
Tenderi u zvarrit për gati një vit. Në denoncim thuhet se në fillim të procedurës, në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave ishin 3 anëtarë, të cilëve iu bë presion që të skualifikohej kompania e renditur e para, e cila plotësonte të gjitha kriteret, dhe që ofronte edhe 5 milionë dollarë më pak. Si pasojë e rezistencës së një pjese të këtij komisioni për të mos shkelur ligjin, në këtë komision u shtuan papritur dy anëtarë të rinj pa asnjë shpjegim, duke e çuar numrin në pesë persona
Deputetët opozitarë thonë se “Nga ana e Drejtoreshës së Agjencisë së Blerjeve të Përqendruar, Edlira Naqellari, nën bekimin e Sandër Lleshajt, komisionit i janë ofruar para për të skualifikuar firmën e kualifikuar si e para, por pasi një pjesë e tyre kanë vendosur që të mos e shkelin ligjin, Edlira Naqellari bashkë me Sandër Lleshajn kanë vendosur të shkrijnë Komisionin”.
Më pas gara është zhvilluar me një komision prej tre anëtarësh ku është shpallur fituese kompania me D&E shpk e cila kishte dhe vlerën më të lartë të ofruar, kjo tregon sipas deputetëve denoncues se fituesi ka qeneë i paracaktuar. Në kallëzimin zbulohet se grabitja e parave për qepjen e uniformave të policisë mund të jetë më shumë se 11 milionë dollarë, pasi nga D&E shpk është ofruar 51,5% të fondit limit pre 28 milionë dollarësh dhe kontrata duhet të lidhej me rreth 14 milionë dollarë.
![Whatsapp Image 2020 08 06 At 16.05.04](https://www.balkanweb.com/wp-content/uploads/2020/08/WhatsApp-Image-2020-08-06-at-16.05.04.jpeg)
Por në fakt marrëveshja është lidhur për 26 milionë dollarë. Shkeljet nuk përfundojnë këtu pasi kompania fituese i është lënë hapësirë për të përfituar edhe 2 milionë dollarë të tjerë për uniforma shtesë. Nga tenderat e Ministrisë së Brendshme deri ato të Ministrisë së Mbrojtjes dyshohet se në 8 vite janë përfituar mbi 100 milionë dollarë nga kompani që kanë qenë të paracaktuara si fituese.
(BalkanWeb)