Tenderi mbi 2 miliardë lekë për uniformat, SPAK çon në gjyq zyrtarët e lartë

0
155

Prokuroria e Posaçme e njohur ndryshe si SPAK ka dërguar në gjyq dosjen në ngarkim të ish-zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme të arrestuar për tenderin e uniformave të policisë së shtetit.

Ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme Edlira Naqellari së bashku me ish-zyrtarët e tjerë, mes tyre anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Kreshnik Bejkaj, Ani Omuri, Klevis Hasani, Fatmir Demneri, Gëzim Mingaj dhe Mariglen Buzali akuzohen “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

SPAK thekson se nga aktet e administruara ka rezultuar se me datë 11.05.2020 në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme është zhvilluar procedura e prokurimit për llogari të Autoritetit Kontraktor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me objekt “Blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit”, për 4 vjet, me fond limit 2.800.347.570 (dy miliard e tetëqind milion e treqind e dyzet e shtatë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë) lekë (pa TVSH).

Nga hetimi kanë rezultuar veprime të kundërligjshme të bëra nga titullari i Organit Qendror Blerës, Drejtor i Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari në bashkëpunim me anëtarët e Njësisë së Prokurimit si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të cilët, në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, kanë favorizuar bashkimin e subjekteve juridike të shpallura fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, duke sjellë si pasojë cënimin e lirisë së pjesëmarrësve në tendera dhe krijimin e avantazheve të padrejta për palët e treta./ Abcnews.al