Gjatë muajve të fudnit, Kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri është thirrur disa herë në SPAK ku është marrë për orë të tëra në pyetje.
Më pas në 24 qershor SPAK mori zyrtarisht të pandehur Jonaid Myzyrin, duke i komunikuar akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tenderin për mirëmbajtjen e rrugës së lartpërmendur.
Gazetarja Koldiana Lala ka zbardhur dosjen ku ndodhet përgjimi i punonjëses së Komisionit të Prokurimeve Publike, Lindita Skeja e cila implikon drejtuesin e këtij institucioni, Jonaid Myzyri për aferën e tenderit 2.3 mln euro, të mirëmbajtjes së rrugës 58.7 km, “Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal – Ura e Repsit”.
Hetimi nisi pas dyshimeve se Myzyri kishte diktuar veprimet e anëtarëve të tjerë të KPP në rastet e shqyrtimit të ankesave ndaj procedurave të prokurimit.
Siç edhe rezulton nga dosja hetimore, një rol të rëndësishëm në artikulimin e akuzave nga ana e Prokurorisë së Posaçme ndaj Myzyrit ka patur edhe biseda telefonike e përgjuar e punonjëses së KPK, Lindita Skeja e cila implikon titullarin në procedurat abuzive të tenderit.
Punonjësja Skeja i ankohet bashkëbiseduesit në telefon se kishte firmosur siç i ishte kërkuar nga Myzyri, ndërsa tani asaj i duhej të paraqitej për t’u marrë në pyetje. Në një moment të bisedës ajo thotë gjithashtu se “punonjësit firmosin letrat, ndërsa lekët i marrin të tjerët”. “Vajta i shërbeva si qeni. I shërbeva me sy mbyll… e du edhe pikë. E du kshtu…firmos ne, të gjith si delet. Ime veme ku të n’a thërrasin. Rresht. Firmën ne e lekët ata”, shprehet gjatë bisedës telefonike punonjësja e KPK, Lindita Skeja.
Përgjimi i SPAK
Speaker A (Lindita): Ai na majti kshu… që krijum besim që ne jemi miqtë e atij…ene rrimë të qetë. N’a ofroi mori informacione. Unë vajta dhe i shërbeva si qeni.
Speaker B: Hej zot!
Speaker A (Lindita): Vajta i shërbeva si qeni. I shërbeva me sy mbyll… e du edhe pikë. E du kshtu…firmos ne, të gjith si delet. Ime veme ku të n’a thërrasin. Rresht. Firmën ne e lekët ata.
Speaker B: A mos i hongert o Zot.
Speaker A (Lindita): Bojna se e dini ju se ç’ju boj unë, bojna… Më pas
Speaker A (Lindita): Amin…ata hop mrap ere… hop mrapa… hop mrapa me e çoi mu në KPP… më çoi mu në KPP, përballem atje me lloj lloj pislliku…
Speaker B: Pi hiç ere un sve po ene tha Dashi motrës tha mos shko…
***
Në dosjen hetimore, Prokuroria e Posaçme thekson se “nga rezultati i përgjimeve ngrihen dyshime të arsyeshme që në vendimmarrjen e KPP për shqyrtimin e ankesës me objekt: “Mirëmbajtje rutinë me performancë rruga Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal-Q.Bene – Hadroj, Shpal – Ura e Repsit”, me fond limit 219.866.693 lekë pa TVSH si dhe në vendimmarrje të tjera, ekzistojnë elementë të veprimeve të kundraligjshme që mund të kenë ndikuar në këto vendime”.
Në kërkesën drejtuar GJKKO-së për masën ndaj Myzyrit, prokurori i SPAK, Elvin Gogaj ka argumentuar se “masa e sigurimit duhet të caktohet pasi ekziston rreziku i cenimit të provave, ai i ikjes, si dhe ai i kryerjes së veprave të jera penale nga personi nën hetim Jonaid Myzyri”. “Ka dyshime të arsyeshme që ai mund të vërë në rrezik marrjen e provës apo vërtetësinë e saj, duke ndërhyrë tek personat që kanë dijeni për kryerjen e veprës penale dhe që nukj janë pyetur deri në këto momente, megjithëse veprimet po kryhen në dinamikë nga ana e Prokurorisë së Posaçme”.
Gjithashtu, SPAK është duke hetuar procedurat e tenderëve përgjatë viteve 2020-2023 pasi ka dyshime të forta se janë zhvilluar pa garë, pasi në shumë raste rezulton pjesëmarrëse vetëm një kompani, e në raste të tjera, shoqëritë janë skualifikuar në mënyrë të padrejtë.
Jonaid Myzyri u emërua në krye të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) në vitin 2020, për një mandat 5-vjeçar, me propozim të Këshillit të Ministrave dhe votim në Parlament.
)