Kreu i diplomacisë së unionit evropian nga unioni i ka dënuar veprimet e serbëve të veriut të Kosovës të cilët kanë sulmuar trupat e policisë evropiane EULEX.
Përfaqësuesi i Lartë për politikën e jashtme dhe siguri, Joseph Borrell u bëri thirrje palëve që të çtensionojnë situatën.
“Ne kujtuam se gjërat u sheshuan pas marrëveshjes, por serbët e Kosovës nisën të bllokojnë rrugët dhe të hedhin granata ndaj oficerëve tanë. Ju duhet ta kuptoni se kjo është e papranueshme. Ju bëj thirrje të dyve që të depërshkallëzojnë situatën, ata duhet të rikthehen në dialog, duhet të tejkalojnë mosmarrëveshjet. Bllokadat nuk janë rrugë për marrëveshje, nuk janë rruga për zgjidhje dhe nuk janë rruga për të normalizuar marrëdhëniet,” tha ai.
Kujtojmë se në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – disa grupe serbësh vazhdojnë bllokimin e rrugëve për të tretën ditë me radhë.
Protestën e nxiti arrestimi i një ish-zyrtari serb të Policisë së Kosovës, të shtunën.
Dejan Pantiç u arrestua nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.
Të hënën, kamionët e mëdhenj dhe autobusët vijojnë të mbajnë të bllokuara rrugët në fshatin Rudarë në Komunën e Zveçanit, përkatësisht në rrugën që të çon drejt pikës kufitare me Serbinë, Jarinje.
Po ashtu shkollat fillore dhe mesme në komunat veriore të Kosovës nuk do të punojnë deri në njoftim të dytë, për shkak të situatës aktuale të sigurisë.