Tentativa e vjedhjes i merr jetën shqiptarit në Itali/ 46-vjeçari rrëzohet nga ballkoni pasi dëgjoi të shtënat, nuk i mbijetoi dot plagëve të marra

0
2
Ardit Murataj

Një tentativë vjedhjeje në një vilë private i ka marrë jetën një 46-vjeçar shqiptar në Itali, i cili u rrëzua nga ballkoni ndërsa mundohej të largohej pas vjedhjes, i frikësuar nga të shtënat me armë zjarri të pronarëve të shtëpisë.

Sipas informacioneve paraprake, shqiptari kishte hyrë në banesë së bashku me dy bashkëpunëtorë të tjerë. Pronarët e shtëpisë i kanë zbuluar dhe kanë qëlluar në ajër me armë zjarri, çka ka shkaktuar panik te hajdutët, të cilët janë larguar me vrap.

Gjatë arratisjes, 46-vjeçari është rrëzuar nga një lartësi rreth dy metra dhe dyshohet se ka pësuar një çarje të thellë në këmbë, e cila ka shkaktuar më pas një hemorragji të rëndë e cila i mori jetën. Shqiptari arriti të vraponte rreth 20 metra përpara se të rrëzohej në tokë, ku më pas ndërroi jetë.

Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Karabinierët janë në kërkim të dy personave të tjerë që dyshohet se ishin pjesë e grupit. Dyshohet se automjeti me të cilin autorët iu afruan zonës mund të jetë fshehur në afërsi dhe se persona të tjerë mund të kenë qenë në pritje.