Teuta me luhatje të forta, durrsakët kundër Elbasanit për “hakmarrje”

0
39

Pas asaj humbjeje të thellë të papritur në Ballsh, Teuta do të kërkojë me çdo kusht kthesën nesër, kur do të presë Elbasanin në stadiumin “Niko Dovana”.

Nuk do të jetë e lehtë, sepse edhe kundërshtari vjen me pretendime, por durrsakëve nuk u falen dy hapa falsë radhazi për pretendimet që kanë këtë sezon. Trajneri Edi Martini është duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve për këtë sfidë, që për momentin ka marrë rëndësi të veçantë. Teuta ka një motiv më shumë për të fituar të enjten, pasi duhet të marrë “hakun” e humbjes 3-0 të fazës së parë në Elbasan.

LUHATJET – Gjatë 10 javëve të zhvilluara deri tani, skuadra durrsake ka treguar luhatje të forta. Teuta ka humbur dy herë me rezultat të thellë, 3-0 me Elbasanin dhe 4-0 me Bylisin. Në anë tjetër kjo skuadër ka mundur 3-1 Tiranën dhe ka fituar në transferta të vështira, siç janë ato me Skënderbeun (2- 3) dhe me Laçin (0-1).

DILEMAT – Duhet thënë se për stafin teknik të Teutës ka disa dilema në prag të përballjes me Elbasanin. Trajneri Martini po sheh të gjitha alternativat, pasi ka në diskutim lojtarë kyç të formacionit, siç janë mbrojtësi Simeu dhe mesfushori sulmues Emiliano Vila, të cilët kanë pasur dëmtime që në ndeshjen me Bylisin. Plus që nuk do të jetë kapiteni Kotobelli, i cili është i pezulluar me kartonë dhe është një mungesë e sigurt. Nëse edhe Simeu nuk ia del, atëherë mbrojtja e Teutës do të jetë me dyshen Jazxhi-Marku në qendër, si dhe A.Peposhin dhe Krujën në krahë.

 

 

Seanca e fundit stërvitore, që do të zhvillohet sot, do të shuajë dilemat e fundit për anti-Elbasanin. “Djemtë e detit” janë mjaft të motivuar për të bërë kthesën në fushën e tyre. Dyshja Martini-Hodo ka pasur në fokus lojën mbrojtëse, ku skuadra ka shfaqur dobësi në disa ndeshje të këtij kampionati. Trajneri shkodran ka kërkuar nga grupi i lojtarëve përqendrim maksimal dhe përpikëri në zbatimin e detyrave taktike.