Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado thotë se thjeshtohen procedurat për njohjen e viteve të punës në kooperativë gjatë periudhës së komunizmit.
Në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Hado u shpreh se qytetari do sjellë vetëm një certifikatë.
“Ky ligj këtë ka si qëllim, për njohjen automatike të periudhave të vjetërsisë në punë, nga mosha 18 vjeç, deri në momentin kur janë shuar kooperativat, ndërmarrjet bujqësore dhe ndërmarrjet shtetërore. Që nga mosha 18 vjeç, ai që ka punuar në kooperativë, deri në korrik të 1991, kjo periudhë, automatikisht do t’i konsiderohet vjetërsi pune në kooperativë. Ai që ka punuar në ndërmarrje bujqësore, do jetë që nga mosha 18 vjeç, deri në 1992. Ata që kanë jetuar në qytet dhe kanë punuar në ndërmarrje shtetërore, nga mosha 18 vjeç deri në tetor 1993, do njihet automatikisht periudhë sigurimi. Qytetari nuk do të bëjë asgjë. Do dalë një vendim i qeverisë, shumë shpejt, është gati. Të gjitha këto periudha, po bëhen gati listat. Qytetari ka për detyrë të sjellë vetëm një certifikatë.
Ne kemi parashikuar në projektligj, të gjithë ata që janë në proces ankimimi administrativ, brenda ISSH, automatikisht do të pezullohen të gjithë proceset e ankimimit dhe automatikisht do t’u njihet ajo periudhë. Ky ligj i shtrin efektet, nga momenti që hyn në fuqi. Ky ligj e ka fuqinë për të gjithë ata që dalin në pension nga tani e tutje. Sigurisht që ka implikime në buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Të gjithë ata që kanë pasur moshë pune në kohën e komunizmit, të gjithë kanë punuar, kush më shumë, kush më pak. Nuk ka pasur papunësi. Ne thjeshtojmë procedurën për një të drejtë që u takon. Implikimet, kostoja financiare që kemi parashikuar deri sa kjo skemë të shuhet, është rreth 5 milionë lekë, shtrihet deri në 15 vjet. Është e papërfillshme. Sigurisht që ne, në momentin që do të miratohet ligji, njëkohësisht kemi një udhëzim, proces më transparent, besoj nuk do të ketë. Qytetarin i kërkojmë vetëm një certifikatë”, theksoi ai./abcnews.al