Një ngjarje tragjike ka ndodhur gjatë finales së Ligës së Kombeve mes Portugalisë dhe Spanjës, e zhvilluar në Allianz Arena të Mynihut.
Një spektator ka humbur jetën pasi ra nga kati i dytë i tribunës kryesore, konfirmoi UEFA të dielën.
Incidenti ndodhi në pjesën e parë të kohës shtesë, teksa Portugalia arriti të triumfonte pas penalltive me rezultatin 5-3, pas një barazimi 2-2 në kohën e rregullt. Sipas njoftimit zyrtar, tifozi ra në zonën e ulëseve më poshtë dhe u ndihmua menjëherë nga paramedikët dhe stafi i stadiumit, por fatkeqësisht nuk mundi të mbijetonte.
“Pati një urgjencë mjekësore në arenën e Mynihut dhe, pavarësisht përpjekjeve më të mira të ekipit mjekësor, personi fatkeqësisht ndërroi jetë pas mesnate”, thuhet në deklaratën e UEFA-s.
Lajmi për vdekjen e tifozit hodhi një hije të rëndë mbi finalen. Lojtarët e Portugalisë u prekën nga lajmi gjatë festimeve pas ndeshjes.
“Dua të shpreh ngushëllimet e mia familjes së tifozit që vdiq,” u shpreh mbrojtësi portugez Nuno Mendes për CBS Sports. Edhe trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, ndali konferencën për shtyp për të shprehur dhimbjen e tij: “Para se të fillojmë me pyetjet, dua të shpreh ngushëllimet e mia për vdekjen e tifozit.”
Sa i përket aspektit sportiv, Portugalia dhe Spanja u ndanë në barazim 2-2 pas kohës së rregullt dhe shtesave. Rúben Neves realizoi penalltinë vendimtare, ndërsa për Portugalinë shënuan gjithashtu Goncalo Ramos, Vitinha, Bruno Fernandes dhe Nuno Mendes.
“Fitorja me Portugalinë është gjithmonë e veçantë,” tha Cristiano Ronaldo për Sport TV. “Kam shumë tituj me klubet, por asgjë nuk është më e bukur sesa të fitosh për vendin tënd.”
Nga ana tjetër, Álvaro Morata gaboi penalltinë e katërt për Spanjën, duke i hapur rrugën suksesit të Portugalisë.