Goditet një tjetër rast i shfrytëzimit të prostitucionit dhe të shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet.
Gjatë operacionit të koduar “Klientët”, vihet në pranga një 28-vjeçar, pasi shfrytëzonte për prostitucion në qytete të ndryshme, një 17-vjeçare dhe një shtetase tjetër 18-vjeçare.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas shfrytëzonte për prostitucion një shtetase 18-vjeçare, të cilën e përdorte edhe për shpërndarje të lëndëve narkotike në doza të vogla, si dhe një shtetase 17-vjeçare me të cilën bashkëjetonte, kanë organizuar punën duke bërë dokumentimin e veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi. Në bazë të provave të grumbulluara u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Klientët”, në kuadër të të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi M. M., 28 vjeç, banues në Korçë.” – njofton policia.
Ky shtetas shfrytëzonte për prostitucion në qytetet Korçë, Sarandë dhe Tiranë 18-vjeçaren dhe shtetasen e mitur 17-vjeçare, me të cilën bashkëjetonte.
Gjithashtu, shtetasi M. M. e ka shfrytëzuar dhe përdorur 18-vjeçaren edhe për shpërndarje të lëndëve narkotike në qytetet Korçë, Sarandë dhe Tiranë.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar një automjet dhe dy telefona.
ora news