Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja pas mbledhjes së qeverisë është pyetur nga gazetarët nëse do të mbajë përgjegjësi PS-ja për deputetët socialistë që po arrestohen, së fundmi Alqi Bllako.
Manja është në të njëjtën linjë përgjigjeje si kryeministri Rama duke theksuar se përgjegjësia është individuale e çdokujt që përfshihet në skema korruptive. Gjithashtu Manja tha se kjo qeveri nuk largohet pasi e kanë votuar mbi 800 mijë shqiptarë.
Gazetarja: Tjetër deputet socialist arrestohet për korrupsion, a ka ardhur koha që PS të mbajë përgjegjësi për atë që ju thoni vija e kuqe?
Përgjigjet Ulsi Manja: “Në fakt pyetja juaj ka të bëjë me çështjen e drejtësisë dhe qëndrimi i PS ka qenë i qartë. Çështjet e drejtësisë ne i inkurajojmë për të bërë hetime dhe ne kemi ndërmarrë një nga reformat kryesore dhe ne kemi qenë të bindur dhe sot më shumë se kurrë pasi 99.9% të shqiptarëve donin drejtësi të pavarur. Çështjet e drejtësisë janë të drejtësisë, kushdo shkel ligjin duhet të mbajë përgjegjësi personale. Është PS ajo që është votuar nga mbi 800 mijë shqiptarë për të qeverisur vendin”, tha Manja.