Tkurret popullsia në Elbasan. Çdo vit nga 100 bebe më pak (VIDEO)

0
124

Ulja e lindshmërisë është një fenomen që prej vitesh ka prekur edhe qytetet e mëdha dhe jo vetëm zonat rurale, apo qytetet e vogla. Prej vitesh, këtë fenomen po e vuan edhe Elbasani, ndërsa të dhënat nga reparti i Obstetri-Gjinekologjisë, flasin për shifra serioze të uljes së lindshmërisë për çdo vit që kalon.

“Nga viti në vit vërejmë ulje të numrit të lindjeve me 100 ulje në vit. Vjet ishin 1300 lindje, sivjet planifikojmë 1200 lindje. Kjo tendencë ka qenë e përvitshme, prej një kohe të gjatë dhe jo vetëm 2-3 vitet e fundit”, thotë shefi i repartit Obstetrik-Gjinekologjik në Elbasan, Olgert Alla.

Sipas specialistëve, shkaqet e kësaj situate janë komplekse dhe nuk mund t’i faturohet vetëm emigracionit

“Emancipimi i çifteve të reja, nuk kemi familje më shumë fëmijë. Çiftet e reja preferojnë 1-2 fëmjë. Në radhë të parë shihet karriera dhe kushtet e jetesës dhe pastaj planifikimi i fëmijëve. Dhe mosha e grave që lindin është rritur”, thotë Alla.

Edhe pse prej disa vitesh, aplikohet edhe bonusi i bebeve që jepet nga qeveria, duket se ulja e lindshmërisë, vijon të thellohet më tej, duke ndikuar edhe në plakjen e popullsisë së vendit.