Policia ekuadoriane tha të dielën se ka hapur një hetim për zbulimin e pesë kokave njerëzore të lëna të varura në sy të publikut, së bashku me një mesazh kërcënues, në një plazh turistik në pjesën jugperëndimore të vendit, i cili është goditur nga një valë dhune ditët e fundit.
Zbulimi makabër u bë në Puerto Lopez, në provincën Manavi, një destinacion popullor për vëzhgimin e balenave, ku nëntë persona, përfshirë një foshnjë, u vranë në fund të dhjetorit në një seri incidentesh që autoritetet ia atribuojnë konflikteve të bandave.
Dje, imazhet që qarkulluan në mediat sociale treguan pesë kokat e varura me litarë në dy shtylla druri në plazh, përballë detit. Pranë tyre, një tabelë në një dërrasë druri kërcënonte anëtarët e bandës që shantazhojnë tregtarët dhe banorët për të nxjerrë pagesa për mbrojtje të supozuar.


