“Toka u drodh për rreth 20 sekonda”, marokenët mes pikëllimit dhe frikës: Fqinjët tanë janë nën rrënoja

0
80

Më shumë se 600 njerëz kanë vdekur pas një tërmeti të fuqishëm që goditi Marokun qendror, sipas ministrisë së brendshme të vendit.

Tërmeti goditi pas orës 23:00 me kohën lokale, në një thellësi relativisht të cekët 71 km (44 milje) në jug-perëndim të Marrakeshit, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së.

“Ne ndjemë një dridhje shumë të dhunshme dhe kuptova se ishte një tërmet,” i tha agjencisë së lajmeve AFP Abdelhak El Amrani, një 33-vjeçar në Marrakesh.

“Unë mund të shihja ndërtesat që lëviznin. Pastaj dola jashtë dhe kishte shumë njerëz atje. Njerëzit ishin të gjithë në shok dhe panik. Fëmijët po qanin dhe prindërit ishin të shqetësuar.

“Energjia u ndërpre për 10 minuta, dhe po ashtu edhe rrjeti (telefonik), por më pas u ndez përsëri. Të gjithë vendosën të qëndronin jashtë,” tha ai.

Qendra e Transfuzionit të Gjakut dhe Hematologjisë së Marokut po u bën thirrje njerëzve të dhurojnë gjak për të ndihmuar viktimat në nevojë pas tërmetit të së premtes, tha të shtunën televizioni shtetëror i vendit.

Qendra tha se numri dhe lloji i lëndimeve nënkuptonin se qeset e gjakut duheshin sa më shpejt që të ishte e mundur.

Montasir Itri, një banor i fshatit malor Asni pranë epiqendrës, tha se shumica e shtëpive atje ishin dëmtuar.

“Fqinjët tanë janë nën rrënoja dhe njerëzit po punojnë shumë për t’i shpëtuar ata duke përdorur mjetet në dispozicion në fshat,” tha ai.

Më në perëndim, afër Taroudant, mësuesi Hamid Afkar tha se ai ishte larguar nga shtëpia e tij dhe kishte ndjerë pasgoditje.

“Toka u drodh për rreth 20 sekonda. Dyert u hapën dhe u mbyllën vetvetiu ndërsa unë zbrita me nxitim poshtë nga kati i dytë,” tha ai.

Numri i viktimave pritet të rritet edhe më tej pas tërmetit që thuhet se ka goditur një të tretën e vendit.

Raportet thonë se ka vështirësi të mëdha për të arritur në fshatrat e largëta në malet e Atlasit që u goditën rëndë nga tërmeti.

Mund të duhen ditë përpara se shpëtimtarët të arrijnë në ato fshatra që përbëhen kryesisht nga ndërtesa të vjetra.

Edhe njerëzit në ishujt Kanarie në brigjet e Marokut dhe në Algjeri, fqinji i saj lindor, thonë se e ndjenë tërmetin.