Ditën e djeshme shkoi në 4 numri i personave të arrestuar, të akuzuar sit ë përfshirë në vrasjen e vëllezërve Nezir dhe Gentian Beqiri në Elbasan, ngjarje e ndodhur më 15 gusht .
Personi i fundit i arrestuar është Klajdi Dukoli, i cili mësohet se ka qenë në rolin e vëzhguesit në zonën ku do të realizohej vrasja.
Dukoli është arrestuar nga skuadra operacionale, ndërsa njihet edhe si mik i ngushtë i Elvis Bardhit dhe Etjen Canit.
Arrestimi i Klajdi Dukoli është realizuar pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Ervis Bardhi.
Ervis Bardhi, i penduari i policisë ka përmendur emrin e Klajdi Dukolit si person që përpara vrasjes, deri në momentin e kryerjes së saj ka qenë në rolin e vëzhguesit, në emër të familjes Çapja.
Ndërkohë vetëm para pak minutash, Policia e Elbasanit ka dalë me një njoftim zyrtar.
Policia Elbasan: “Vijon puna hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur në vitin 2012, në Elbasan, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit G. B. dhe N. B. (babë e bir).
Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, pas një pune të mirëfilltë hetimore nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale në DPPSH, në kuadër të procedimit penal në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 15.08.2012, në Elbasan, është bërë kapja dhe ndalimi i shtetasit:
K. D., 28 vjeç, banues në Elbasan, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim”, pasi ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin J. L. ( i cili është arrestuar me parë), më datë 15.08.2012, kanë vrarë me armë zjarri shtetasit G. B. dhe N. B. (babë e bir), në banesë.
Në drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Elbasan vijon puna intensive për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje”.
Pritet që të arrestuarit, masa e sigurisë t’i komunikohet në vijim sepse ka një vendim gjykate, ku Gjykata e Elbasanit në mungesë ka vendosur të caktojë masën e “arrest në burg” në akuzën e bashkëpunimit në vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit.
Jorgo Leku është autori i vrasjes së Gentian dhe Nezir Beqirit , i arrestuar në Athinë. Ndërsa Etjen Cani dhe Ervis Bardhi ishin bashkëpunëtorët e Jorgo Leku.
Ata ishin paraqitur në shtëpinë e Nezir Beqirit si miqtë e djalit, Gentianit i cili ndodhej i paralizuar dhe në arrest shtëpie, pas një përplasje me policinë pasi ishte në kërkim për një tjetër ngjarje të rëndë të ndodhur në Elbasan.