Traditat dhe Zakonet në Shekuj të Elbasanit për dasmat

0
246

Gjykuam të fillojmë publikimin e një thesari të vërtetë të qytetit të Elbasanit, siç janë Traditat e zakonet shekullore të tij, të mbledhura e të shkruara nga qytetari i nderuar e folkloristi i qytetit të Elbasanit, Aleks Vini.
Jemi të ndërgjegjshëm e të vetëdijshëm se këto pasazhe në vijimësi, do të jenë tablotë më autoktone të dokumentuara, ndër qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë!

TRADITA  ZAKONORE  TEK  MUSLIMANET
Të gjithë burrat që nuk martoheshin quheshin gjithmonë “djem”. Ata nuk mund të mbanin sahat e të vishnin rrobat e burrave, por gjithnjë do të rrinin me rrobat e djalërisë, deri në moshën e fundit të pleqërisë. Këta djem nuk mund të rrinin në ambiente me burra për të biseduar, sepse ata nuk mund të quheshin burra, por djem dhe gjithmonë rrinin me djemërinë. Djemëria zgjidhte anëtarët e këshilltarët për punët e veta. Asnjëherë nuk zgjidhej i pari i shtëpisë si anëtar i gjyqit, pasi ai s’mund t’i gëzonte ato të drejta, për sa kohë s’kishte krijuar familje. Në popull këta njerëz quheshin si “të pamëshirshëm” ose “zemërfortë”, apo “trima”.
Një djalë që martohej, në atë kohë, vishte jelekun bojë gjaku nga nata e martesës, vinte në brez sahatin me zinxhir të varur në qafë dhe dilte në mjediset e burrave që ishin thirrur atë natë në dasëm, duke u përshëndetur me ta: “Mirëse ju  gjej!’’ Ndërkohë që ata ia kthenin: “Mirë se vjen !’’ Pas kësaj, ai kishte të drejtë të bisedonte me ta, sepse ai nuk ishte më “djalë” por, tashmë, quhej “burrë”. Sahati me zinxhir në qafë dhe jeleku i kuq bënin dallimin midis djalit dhe burrit.

FEJESA
Kërkesa për fejesë.
(Vajza kërkon djalë)
Djali nuk kërkon vajzë, por vajza kërkon djalë. Sipas këtij rregulli të prerë, familja e vajzës dërgon në familjen e djalit një njeri, burrë i martuar dhe i ndershëm, i cili i thotë të atit të djalit që ështe i dërguar nga X-i dhe ky i fundit dëshiron ta bëjë mik shtëpie. I ati i djalit mendohet pak dhe, në se dëshiron dhe bie në marrëveshje konditash, e pret fjalën për t’u bërë aktfejesa.
Në të tilla raste, gjithnjë merret parasysh përshtatshmëria midis familjeve. I ati i vajzës, në mirëkuptim me gruan e vet, mendojnë  për t’i gjetur vajzës një djalë nga familje e përshtatshme me të tyren. Më pas, dërgojnë një njeri të posaçëm në dyqanin e të atit të djalit. Në rast se babai i djalit jeton me vëllazërinë, atëherë kërkesa për fejesë bëhet tek vëllai i madh i të atit të djalit dhe po ky i jep lajmin atij. Në rast se prindërit e djalit jetojnë në vëllazëri, lajmërimi bëhet tek vëllai i madh i të atit të djalit dhe po ky nxjerr lajmin  për pëlqimin e fejesës. Kjo ndodh atëherë kur vëllezërit e të atit të djalit  kanë ekonomi të përbashkët dhe jetojnë në një shtëpi. Kur ekonomia është e ndarë dhe jetesa është e veçantë, lajmin e nxjerr i ati i djalit.
Në kohët e para aktfejesa bëhej në xhami, në prani të hoxhës dhe të kryeplakut. Kryeplaku (myftari) në atë kohë ishte i plotfuqishëm. Përveç këtyre të dyve, si vajza, ashtu edhe djali, merrnin me vete nga  dy dëshmitarë (shahitë). Në këtë ceremoni bëhej një dokument që quhej aktfejesë, e cila kishte të bënte me konditat (xhihasin, prikën), ku vajza i jepte djalit, sipas dëshirës, afërsisht dhjetëmijë has (xhihas).
(Shënim: 1000 has në ato kohë ishin barazi me 100 grosh, ose me 1 napolon ari.)
Pasi plotësonin konditat e xhihasit dhe binin në ujdi, shkresën e firmoste kryeplaku, hoxha dhe dëshmitarët e pranishëm, dy të djalit e dy të vajzës. Ky ishte akti i kurorëzimit të fejesës për fëmijët e tyre. Më pas ndanin nga një llokum brenda në xhami dhe bënin urimet e rastit: “Qofshin me këmbë të mbarë!”, “Me dyzen e me faqe të bardhë!” Më pas shpërndahej lajmi i fejesës dhe priteshin urimet e ndryshme: ”Hankshin bukën e ambël!”
Me kalimin e kohrave humbi interesi i dhënies së parave në has dhe doli ai i dhënies me “qese”, e cila ishte e barabartë me 100 grosh. Pak më vonë, një qese u bë me 500 grosh, ose 5 napolona ari, ndërkohë që aktfejesa u spostua në zyrën e kadiut.

 Fejesa në zyrën e kadiut
Kadiu në atë kohë ishte kryetar i qytetit, i plotfuqishëm dhe kryegjykatës, i cili kishte të drejtën të të dënonte dhe të të shkurorëzonte me anë të ligjit (sheriatit). Çdo njeri  që kërkonte të fejonte a të martonte fëmijët, do t’i bënte veprimet në zyrën e kadiut. Aktfejesa ishte dhe aktmartesë. Në zyrën e kadiut do të shkonte i ati i djalit dhe i vajzës, duke marrë me vete secili nga dy dëshmitarë. Kadiu i priste me nder dhe i pyeste se me çfarë kondite e donin aktfejesën. Sekretari i kadiut shkruante konditat që ata kërkonin. Aktlidhja që formulonte sekretari i kadiut bëhej sikur aty të ishin të pranishëm dhe djali, dhe vajza, së bashku me prindërit e tyre, kurse, në të vërtetë, ata nuk ishin prezent në këtë aktlidhje.
Shpesh herë ndodhte që prindërit e vajzës dhe të djalit që do të kryenin aktfejesën, të binin në kundërshtim me konditat dhe, në këtë rast, fejesa prishej po në zyrën e kadiut. Por, kur konditat pëlqeheshin, aktfejesa bëhej dhe kondita më kryesore në atë kohë ishte xhihasi. Vajza shumë herë i jepte xhihas djalit. Xhihasi bëhej me has ose me qese dhe, më vonë, edhe me lira turke. Pagesa kryhej sipas marrëveshjes që ishte bërë më parë. Xhihasi në atë kohë ishte 10 lira e lart, të cilat duhej t’ia jepte vajza-djalit, ose djali-vajzës. Përveç kësaj, kishte dhe kondita të tjera që kishin të bënin me veshjet. Për shembull, ajo vajzë që do t’i jepte xhihas të fejuarit, kur të martohej, burri i saj për Bajram të Vogël duhej të bënte kurban edhe për gruan, edhe për vete. Në qoftë se gruan e kishte marrë pa xhihas, do të bënte kurban vetëm për veten e tij. Në rast shkurorëzimi, burri ishte i detyruar që, po në zyrën e kadiut, t’i jepte gruas paratë e xhihasit që i kishte marrë ose paratë e konditave që i kishte premtuar asaj në aktfejesë.
Djali, që nga dita e aktfejesës, nuk i dërgonte vajzës asnjë dhuratë, sikurse edhe vajza djalit. Në se çiftin e gjente Dita e Verës ose Festa e Novruzit të pamartuar, vajza ishte e detyruar t’i dërgonte të fejuarit një tepsi me revani, arra dhe palë fiku, ndërsa, për Nevruz, një tepsi me laknur (byrek).
Gratë që kërkonin t’i shkurorëzonin burrat e tyre, shkonin në zyrën e kadiut me napë e ferexhe, i hiqnin këpucët e i kthenin përmbys para kadiut. Kjo ishte shenja që tregonte se kjo grua nuk e kalonte mirë me burrin. Kadiu e pyeste për emrin dhe mbiemrin, pastaj i bënte thirrje burrit të saj dhe hapej seanca e gjygjit mbi ankesën që kishte gruaja për burrin. Shkurorëzimi bëhej shpejt, që me seancën e parë. Po e njëjta gjë ndodhte kur burri donte të shkurorëzonte  gruan.
Gratë që ishin trimëresha e që nuk e donin burrin që u jepte prindi, para se të iknin nga burri, merrnin pajën e tyre pa rënë në sy të familjes së burrit dhe, ditën që do të iknin, i vendosnin burrit sëpatën tek jastëku, kur ai ishte duke fjetur. Kur zgjohej, ai e kuptonte që gruaja kishte ikur. Por, me këtë veprim, gruaja kërkonte edhe ta kërcënonte burrin, që ai të mos kundërshtonte gjyqin që do të bëhej për ndarjen. Përndryshe, në rast kundërshtimi, ajo do ta vriste në gjumë me atë sëpatë. Dhe ka patur edhe raste kur gra injorante, të cilat nuk shkonin mirë me burrat e tyre, i vrisnin ata në gjumë ose me vaj ulliri të nxehtë në vesh.
Të Hënën e Hashures fejesat dhe martesat nuk bëheshin. Ato kryheshin kur hëna ishte e thyer dhe jo kur ishte e rime (e re). Dhe shumë punë të tjera bëheshin sipas hënës tek muslimanët, siç ishin mbjelljet, korrjet, etj. Në qoftë se martesa bëhej të dielën, nga familja e djalit boja dhe kënaja dërgoheshin ditën e enjte. Në qoftë se martesa bëhej të enjten, boja dhe kënaja dërgoheshin ditën e hënë.

MARTESA

Dhuratat

Katër ditë para javës kur do të martohej, djali i dërgonte të fejuarës, me anë të familjes së vet, këto dhurata:
Këna, një ose dy okë.
Mazi me letra alltun veraku.
Një ferexhe të kualitetit të parë.
Napa dhe kryqe nape, 10 a 12 copë.
Gjymysh ari të kualitetit të parë.
Një palë këpucë e një palë çorape të kualitetit të parë.
Të kuq dhe të bardhë për të lyer fytyrën.
Sheqer, dy ose tri okë.
Dhuratat e kësaj dite e kishin emrin “Bojë e këna”. Kënaja shpërndahej nga ana e familjes së vajzës në të gjithë fisin, si dhe tek njerëzit e njohur të asaj lagjeje, të cilët do të ishin pranë asaj familje në dasëm. Më vonë ky zakon nuk përdorej më. Të gjitha dhuratat që çoheshin, u zëvendësuan me sende e dhurata të kohës.

    Lajmëtari

Lajmërimi i miqve bëhej nga ana e të atit të djalit të nesërmen, pasi dërgohej boja dhe kënaja me anë të një njeriu të posaçëm, i cili i ftonte gojarisht miqtë nëpër dyqane, për të shkuar për darkë natën e dasmës, duke u treguar dhe vendin e pritjes. Darka që do të shtronte i ati i djalit atë natë, do të ishte në një shtëpi të veçantë të fisit të tij ose te një mik dhe jo në shtëpinë e tij, e cila kishte  njerëz, lëvizje grash të gjinisë, të cilat i kishte thirrur nëna e djalit për darkë. Nëqoftëse i ati i djalit bënte dasëm të madhe, njerëzit duhet të klasifikoheshin në kategori të parë, të dytë, të vendoseshin në dy dhoma të veçanta të së njëjtës shtëpi. Në kategorinë e dytë ishte dhe orkestra popullore. Në këtë natë ishte i pranishëm dhe mejhanexhiu (ai që gatuante), dhe kafexhiu. Në qoftë se i ati i djalit ishte i prekur në shenjë zije dhe nuk donte të bënte dasëm të madhe, por dëshironte që atë natë të kishte vetëm fisin e vet më të afërt, ai shtronte një darkë buke, por në një shtëpi të veçantë të lagjes së vet. Kjo, zakonisht, ndodhte për ngushticë vendi.

   Zakoni i vajzës të parën ditë të dasmës

Vajza, në mëngjesin e të parës ditë të dasmës, sapo zbardhte dita, vishte një palë rroba të vjetra, më të vjetrat e atyre që kishte dhe fshihej në një kënd të shtëpisë, ku rrinte galiç (ulur në gjunjë), duke vënë dy pëllëmbët e duarve  mbi sytë e mbi faqet e veta. Vendi ku fshihet vajza ishte vendi më i fshehtë e më i errët që kishte shtëpia. Pasi ajo luante këtë zakon mosdëshire për martesë, shkonin shoqet e saj me disa gra të familjes së vajzës dhe e nxirrnin nga errësira ku ishte futur, duke e marrë me fjalë të ëmbla e të mira e duke i thënë që “Të gëzohesh për nënën!”,” Tërheqsh këmbën rrëshqanthi që të gjejmë edhe ne fatin e ëmbël të jetës sonë si ti!”, etj. Më pas, e merrnin për krahu me shaka të këndshme dhe, duke qeshur e nxirrnin nga errësira, i hiqnin duart nga fytyra, i fshinin lotët dhe e dërgonin në banjën e shtëpisë ku e lanin, e pastronin, i vishnin rrobat e nusërisë dhe e bënin nuse.
Para se të bëhej nuse, do ta zbukuronte një grua tjetër që merrej posaçërisht me këtë punë, e cila quhej “haxheshkë”. Shumë herë kjo grua lajmërohej nga dhëndrri që të mos i vinte shumë të kuq e të bardhë të fejuarës së tij, por ta pikturonte lehtë e lehtë, por ky zakon u zhduk dhe nuk egziston më.
(Shënim: Zakoni i fshehjes së vajzës është zakon pagan dhe, tek populli i Elbasanit, në të dy sektet, nuk është më i përdorshëm. Ai ka mbetur i pazhdukur tek çobejt.)

Në shtëpitë aristokrate

Në shtëpitë aristokrate të asaj kohe, kur martohej, vajza merrte dhe një shërbëtore me vete që në ditën e parë kur shkonte tek burri. Atë e mbante pranë vetes dhe vetëm me anë të saj komunikonte për çdo gjë që i nevoitej në ato dy ditë që ishte nuse. Këtë shërbëtore e mbante gjithmonë me vete në shtëpinë e burrit dhe e urdhëronte për punët e veta. Në qoftë se shërbëtorja ishte vajzë, ajo do ta martonte, duke i bërë pajë e stoli. Në qoftë se ishte grua pa bir e pa bijë, ajo do ta mbante atë deri në fund të jetës, duke e quajtur si nënën e saj. Të gjitha vajzat që merreshin me vete si shërbëtore në dyert e pasanikëve, martoheshin nga ata, duke u dhënë të drejtën e pajës  dhe të dasmës.
Vajzat aristokrate të bejlerëve që martoheshin në ato kohë, në të shumtën e herëve familja u jepte pas dhe një grua që ishte familjare dhe e martuar, e cila rrinte 10 ditë me vajzën e martuar, duke i shërbyer asaj. Kjo grua quhej “engje” dhe, pas 10 ditësh, ajo ikte nga shtëpia e dhëndrrit. Ai i jepte asaj para, dhurata dhe veshmbathje të mjaftueshme. Më pas ajo shkonte në shtëpinë e nuses dhe tregonte të gjitha dhuratat që dhëndrri i asaj shtëpie i kishte bërë. Pasi rrinte një natë në atë shtëpi, ku shtrohej një darkë për nder të saj, engjesë i jepnin dhe dhurata në lekë për shërbimin që kishte bërë. Më tej, kjo grua do të quhej gjithmonë si “engje  e X familjeje”.

Dita e parë e dasmës
(Qethja e dhëndrrit)

Në ditën e parë të dasmës, pa shkuar krushqit që të merrnin nusen, dhëndrri do të qethej e rruhej, duke patur shokët e miqtë e vet pranë. Para se të bënte tualetin, edhe dhëndrri do të kryente po ato veprime që bënte nusja, siç ishte fshehja në një kënd të shtëpisë, ku do të shkonin shokët, bashkë me disa të afërt të shtëpisë së tij, për ta gjetur. Pasi e gjenin, e merrnin me fjalë të ëmbla e të bukura, duke i  përbuzur jetën e beqarisë e duke i treguar jetën e lumtur të martesës. Më pas, e merrnin dhe shkonin në banjat e Kalasë ose të Pazarit dhe atje laheshin të gjithë bashkë, duke kënduar këngë të ndryshme. Pasi laheshin, nuk i vishnin më rrobat e beqarisë, por i vishnin jelekun me ar, i varnin sahatin me qostek në qafë, i merrnin armët e beqarisë që ai i mbante për mbrojtjen e vendit. Dhëndrri, që nga ajo ditë, qante kur armët hiqeshin nga brezi i tij. Miqtë, me fjalë të ëmbla e qetësonin, duke i thënë se ishin të gjithë fidainj për vatanin. Para se të iknin nga banja, ata këndonin këtë këngë: Kur del çuni nga hamami

Pasi këndojnë këngën e fundit, dalin nga dera e banjës dhe, të gjithë së bashku, duke qeshur e bërë shaka, kthehen në shtëpinë e dhëndrrit, e marrin atë, e nxjerrin në oborrin e shtëpisë dhe e ulin në një shkamb (stol). Rreth e qark janë shokët me berberin. Ky i fundit fillon ta qethë e ta rruajë  dhe orkestra popullore fillon, së bashku me rrethin e shoqërisë.
Vajza në ditën e parë të dasmës

Vajza bëhej nuse pas dreke. Merrej nuse pak në errësirë ose në kohë akshami (mbrëmjeje) dhe nuk rrinte më tepër se 3-4 orë nuse në shtëpinë e të atit. Familja e djalit, atë ditë pas dreke dërgonte në shtëpinë e vajzës një kalë me qeraxhiun për të marrë pajën. Paja vinte dy orë para se të vinte nusja. Kali ngarkohej me dy arka të pajës së nuses. Mbi dy arkat vendosej një beze e kuqe dhe kali, nga të dy anët e faqes, kishte nga një shami të kuqe. Këto shami i merrte qeraxhiu dhe, bashkë me të dërgohej dhe një njeri  i besuar që të merrte pajën në dorëzim. Atë njeri e thërrisnin “veqil zëvendës”. Ai zëvendësonte dhëndrrin për marrjen e pajës nga shtëpia e vajzës e për ta dorëzuar atë në shtëpinë e dhëndrrit.
Familja e djalit, po atë ditë pas ardhjes së pajës, dërgonte në familjen e vajzës, një kalë me shalë dhe me dy shami në faqe. Kali dërgohej po me atë qeraxhi dhe, pas kalit, familja e djalit dërgonte dhe 3-4 gra në familjen e vajzës për ta marrë atë. Këto gra ishin nga njerëzit më të afërt të djalit. Gratë që shkonin në atë shtëpi nuk duhej të ishin shtatzëna (se plakat e kishin për gjynah).
Këto gra që merrnin nuse, quheshin “marrëse” dhe më vonë u quajtën “krushka”. Kur marrëset shkonin të merrnin nusen, nuk hynin në dhomën ku rrinte nusja, por rrinin në një dhomë tjetër të veçantë. Marrëset nderoheshin nga familja e vajzës dhe priteshin me nder të madh. Qeraseshin me llokume e u bëheshin urimet e rastit. Pas pak, ato kërkonin nga njerëzit e familjes së vajzës të merrnin nusen. Pala tjetër u përgjigjej se nuk e kishin bërë gati akoma. Kjo kërkesë përsëritej 3-4 herë me fjalë të ëmbla e të bukura, duke qeshur me zë të lartë, për aq kohë sa ato rrinin. Sa fillonte të errësohej, vëllai i vajzës ose dy të afërm të asaj shtëpie, e merrnin vajzën prej krahu nga dhoma ku qëndronte nuse, ashtu siç ishte me duvak të kuq, për ta nxjerrë në derë të rrugës. Brenda oborrit të shtëpisë e hipin lart në kalë, duke e mbajtur prej krahu dhe qeraxhiu tërhiqte kalin prej dore, duke i vajtur marrëses prapa, deri tek shtëpia e dhëndrrit. Nga kali e zbrisnin po ata dy vetë që e hipën në kalë.
Nusen në derë të rrugës del dhe e pret e motra e dhëndrrit, tezja dhe halla e tij. Një nga këto tri gra hedh grurë dhe para përpara nuses. Ato që e mbajnë atë prej krahu, e fusin brenda shtëpisë dhe drejtohen për në dhomë. Para se ta fusin në dhomë, del e vjehrra përpara dhe i lyen asaj dy gishtat e dorës së djathtë me mjaltë, me të cilët, më pas, duhet të lyejë derën e dhomës ku nusja do të hyjë. Eshtë po vjerra që i fut dy simite të kuqe nën sqetull, një nga e djathta dhe një nga e majta, duke i vënë para derës një ibrik me ujë, të cilin nusja duhet ta derdhë me këmbë. Si i bëjnë nuses të gjitha këto zakone, dy shoqërueset që e kanë kapur për krahu e fusin në dhomë dhe e vendosin në buxhak, ndërkohë që vetë ulen duke u qerasur e duke bërë urimet e rastit. Më pas, kur kanë mbaruar urimet e rastit, dy shoqërueset largohen nga shtëpia e dhëndrrit. Para se dhëndrri të futet në dhomën e nuses, merr uratën nga hoxha.
Pasi ka marrë uratën, në të dy anët e derës së dhomës janë rreshtuar shokët dhe miqtë, të cilët fillojnë ta godasin atë me grushta kurrizit duke thirrur “Hura, dhëndërr!” dhe ai, duke vrapuar, hyn në dhomën ku është nusja. Në dhomë, përveç nuses, është dhe një grua e fisit të tij, kurse gratë e tjera janë larguar para se të vijë dhëndrri. Nusja e pret atë në këmbë, por me duvak mbuluar. Ai afrohet pranë saj, i heq dvakun dhe i shkel këmbën e djathtë me këmbën e vet, duke e pyetur se çfarë e quajnë. Ky është dhe  momenti që ata shihen për herë të parë me njeri-tjetrin.
Në dhomë është shtruar një dyshek. Dhëndrri merr nusen, shkojnë afër dyshekut dhe fusin të dy këmbën e djathtë në të. Pasi bëjnë këtë veprim, ata kthehen, nusja në buxhak dhe dhëndrri ulur pranë saj. Ajo grua që ndodhet së bashku me ta në dhomë, i jep dhëndrrit dhe nuses nga një gotë me sherbet, të cilët ata do t’i pinë përgjysmë. Pirja e gotës me sherbet do të thotë që deri në fund të jetës të jenë të ëmbël e të bardhë. Gotat me sherbet që ngelin, shtohen edhe më dhe u jepen djemve dhe vajzave që janë të pamartuar, për t’u sjellë dhe atyre fatin e martesës sa më shpejt. Ajo grua që bën këtë shërbim, largohet nga dhoma duke e lënë çiftin vetëm.
Pas ikjes së saj, nusja do të heqë rrobat e nusërisë e do të veshë një petk të bardhë mëndafshi. Dhëndrri del nga dhoma duke marrë nga nusja një shami të bardhë në dorë. Atë shami, kur del nga dhoma, ai ia jep shokut të tij që e shoqëron deri tek dhoma e burrave, të cilët i japin urime dhe ikin. Mbeten vetëm ata burra që janë ftuar për darkë nga i ati i djalit dhe jo shokët e djalit. Kur dhëndrri del nga dhoma, nusja rri në këmbë pas derës dhe, në atë çast hyn vjehrra me gra të tjera, të cilat e kapin nusen në qafë dhe nuk e vënë më në buxhak. Nusja atë natë ulet në sofër të bukës dhe ha bukë së bashku me njerëzit e shtëpisë. Atë natë asaj i ulin dhe një djalë të vogël në prehër, (i cili është me nënë e babë) për t’i hequr asaj çorapen nga këmba. Nusja në çorape ka një pare sermi dhe pranë vetes një bohçe me dhurata për burrin e vet, për vjehrrën, për motrat e burrit, vëllezërit e tij, për dajallarët dhe, për djalin që do t’i heqë çorapen, ka një komplet kostumi. (Për burrin ka 6 palë mbathje, 6 këmisha e të tjera, ndërsa për pjestarët e tjerë ka pëlhura mëndafshi të qepura dhe dhurata të ndryshme).
Atë natë nusja fle me gratë e shtëpisë. Të nesërmen, vjehrra e merr nusen, e çon në magje të bukës dhe e vë të gatuajë. Nusja gatuan tre kuleçë. Po atë ditë hapet dhe paja e nuses, të cilën e shikojnë të gjitha gratë e fisit, si dhe gra të tjera të ftuara. Ajo grua që e ka rregulluar (pikturuar) nusen në ditën e dasmës, ajo do të vijë ta rregullojë dhe 7 ditë të tjera. Më pas ajo do të rregullohet vetë.
Ndërsa dhëndrri, natën e dasmës nuk fle në shtëpine e tij por shkon të flejë në shtëpinë e tezes ose të hallës, ose të një farefisi që ka më afër. Të nesërmen dhëndrri shtron një drekë për shokët e martuar ose beqarë, në një shtëpi po në lagjen e vet, të zotët e së cilës i ka lajmëruar më parë. Atë ditë ai rri me shokët dhe nuk del në pazar, por thërrasin orkestrën popullore dhe fillojnë të këndojnë këto këngë:

A s’më qani?

Faqja jote kuq si hëna,
Ashikut i derdhen lot’,
Bilbili qan e thotë:
-Imzot, më ban derman,
Se robërit e tu po heqin zindan.

Si zindan mu ba kjo jetë,
Zemra ashikut hark e shigjetë,
Asaman, o zot i vërtetë.
– Imzot, më ban derman,
Se robërit e tuj jemi.

Buza jote, si misiri kur çel,
Floku yt si floriri kurbet,
Ma merr shpirtin pa exhel.
– Imzot, më ban derman,
Se robërit e tu jemi.

Si më ke sytë, më ke vetullat,
Ashikun në bela çe shtive,
Un’ për ty po bëj figan.
– Imzot, më bëj derman,
Se robërit e tuj jemi.

Balli yt shkru’ jazi hajat,
Kush e sheh i bëhet merak,
Po të them se s’kam takat.
– Imzot më bën derman,
Rob’t e tu thërresin iman.

Pasi këndojnë këtë këngë, fillojnë këngën tjetër.

Behari

Mos më qaj, o i mjeri ashik,
Se me ty do ta kaloj beharin,
Menafikët po kallxojnë,
Po luftojnë me na nda’.

Pasi këndojnë këtë këngë, pijnë dhe urojnë njeri-tjetrin deri sa të fillojnë këngën tjetër:

Jalla, jalla!

Menafikët vetëm jan’
Për të ardh’ e për t’kallxu’,
Të tjer’ pun’ ato s’kanë,
Gjithë dynjanë e kan’ trazu’.

Menafiku vend mos gjettë,
Si në dynjatë e në hajret,
Në dynja e në hajret mos mbettë!

Jalla, jalla, ç’është kjo jet’,
Edhe pleqtë na u ban’ ashik,
Me një kuvend s’i gjen dy vet’,
U mbush jeta me menafik.

Menafiku vend mos gjettë,
Si në dynja e në hajret!

Ardhç e të gjeta në…
Të thash’, hajde vetë,
Djali s’merret me të fortë,
Të gjith’ robt e zotit jemi.

Qan bilbili për behar,
I vjen keq se i shkoi e vajti,
Shkoi i shkreti, muj’ i par’,
Dhe nga mendja jam i marrë,
Nuk e di se kujt i qaj
Për një fjal të zotris’ sate.

Jalla, jalla, ç’asht’ ky hyq’met
Sot në Ditë të Ramazanit,
Plasi një pushk’ e një dyfek
Përmbi kryet e din dushmanit.

Mjeri unë sa keq mësova,
Shumë bela çi kam vu’jt,
Kësi farsoj s’e shpresova,
T’a shkoj jetën malestur.

Marshalla!

Marshalla këtij gërsheti,
Porsi turrat që pret mbreti,
Porsi Zylfikaja e Ali Hazretit,
Ashtu je bërë mbi të gjithë shokët, o shpirte!

Më i vogël se floriri,
Përmbi haznat-xhevahiri,
Përmbi pashallarët-veziri,
Ashtu je për të gjithë shokët, o shpirte!

Me ato dy sy si filxhani,
Buzën kuq porsi merxhani,
Përmbi vezirët-Ali Osmani,
Ashtu je përmbi shokët, o shpirte!

Me e dit’ sa fort te due,
Seç kam pa me ato vet’llat e tua,
Gjithë ato kadret aty jan’ shkrue,
Ashtu je përmbi të gjithë shokët, o shpirte!

Kjo këngë i kushtohet dhëndrrit nga shokët. Pastaj vazhdohet me këngën tjetër:

M’at’  perçem

M’at’ perçem porsi zymyli,
Derdhun e lëshue më një anë,
Selam-selam si daragjyli,
Me gazep më jep selam.

Edhe hana kur ban me dalë,
Të gjith’ yjet jan’ gëzu’,
Mos më merr në qaf’ me fjalë,
Në zemër jam përvëlu’!

Mos më merr në qaf’, o i mjerë,
M’at’ perçem  të derdhun,
Se ka dhe ma të tjer’,
Dynjaja ty s’të ka mejtu’.

Syri i zi porsi qershija,
Vetulla jote-hark kalemi,
M’i more mendt e mia,
M’at’ bukuri e m’at’ perçem.

Si këndojnë këtë këngë, fillojnë një tjetër:

Nëpër botë

Nëpër botë e kam dëgjue,
Syu i zi të shashtis,
Ka havale syn’ e shkrue,
Me bukuri të gremis.

Mallku qoftë ai ashik,
Që i anani syut të zi,
Ai i rri vranë e vranu,
Kast ka me vra njeri.

Syu i zi andej ka dalë,
Ai është evzal,
Hasha se ka n’oj xhela.

Pasi këndohet kjo këngë, bëhet 2-3 orë pushim dhe pastaj fillon kënga tjetër:

Ke çesmja

Ke çesmja e kishës,
O lalo, ke kishllaja,
Se mu’ me ty, o lalo,
Ç’më zu’ sevdaja.

Ke çesmja e kishës
Kam dal’ e të pres,
Të ja hek gocës, o lal,
Shaminë prej kres’.

Çeli shelgu ke kishllaja,
Mu’ me ty ç’m’ka zan’ sevdaja.
Jarnina, të desha, nuk të desha,
Jarnanina, balluket e shpeshta.

Shoqni, o ti, moj shoqni,
Shum’ rrubare paske ti,
Jarnanina, un’ kështu s’e mejtova,
Jarnanina, s’do t’më du’sh se besova.

Do t’a shes!

Do ta shes, do ta shes,
Do ta shes koliben fare,
Do ta bëj, do ta bëj,
Do ta bëj tresh e gjashtësh.

Do ta shes, do t’a shes,
Do ta shes koliben time,
Do e pi, do e pi,
Do e pi me raki me shoqen time.

Do ta shes, do ta shes,
Do ta shes koliben ku rri,
Do i prish, do i prish,
Do i prish paret me shokët e mi.

Kjo këngë kërcehet edhe valle dyshe nga shokët e dhëndrrit. Më pas fillon kënga tjetër:

Moj zemër!

Moj zemër, ç’të kam thanë,
Banu gur e duro shumë,
Se ne s’jemi në dhe tanë,
Jabanxhi në dhe të hu’j.

Ç’kanë këta sytë e mi që qajnë,
Se kështu qenka thanë dashnija,
S’kemi se kujt t’ja vemë fajin,
Ç’është…, ardhtë nga perëndia.

Preve dolloman jeshile,
Ma gëzofsh, ma ‘bajtsh me shëndet,
More buzëkarajfil,
I rrofsh satame e tytet!

M’ra sevdaja!

M’ra sevdaja, m’zu meraku,
Edhe zemra gjithë m’u ndez,
Kur më shkon nga sokaku,
S’du’ të rroj, po du’ të vdes.

Kur shkon tue u sallnis,
Tu u sallnis e tue vëzhgu,
Mua mendjen ma ke prish’,
Prano e fol një her’ me mu’!

U zu dielli, u zu hana,
Zemra ime po gjëmon,
Shëtit me jaran’ vende të tana,
Mu’, të mjerin, s’më kujton.

Natë e ditë e shkova haram,
Qysh të zuna për dylber ty,
Mos më le’ me kaq ballgam,
Urdhëno e më shiko me sy.

Pasi këndojnë këtë këngë, orkestra bashkë me dhëndrrin dalin në oborr duke kërcyer e duke kënduar. Me kaq mbyllet festa që bën dhëndrri me shokët e vet. Pastrohet shtëpia ku u bë dasma dhe dhëndrri shkon në shtëpinë e tij.
Po atë ditë që dhëndrri feston me shokët e tij, e cila është dita e dytë e dasmës, e ëma e vajzës dërgon në shtëpinë e burrit një pjatë me ballakume prej 15, 17, deri në 21 kokrra. Në qoftë se janë familje të mëdha, dërgohen deri në 35 kokrra dhe, në të tilla raste, asnjëherë nuk duhet të shkojë pjata me kokrra çift, por gjithmonë me numra tek. Pjatën me ballakume e çon një grua e posaçme, duke patur pas me vete dhe një fëmijë 7-8 vjeçar të fisit të nuses. Ai fëmijë duhet të jetë djalë. Gruaja që dërgon pjatën hyn brenda në shtëpi dhe ulet afër nuses, së bashku me djalin dhe, pjatën me ballakume e vë pranë nuses. Pasi rri pak duke marrë nderimet nga familja e dhëndrrit, ajo çohet e ikën duke bërë urimet e veta.
Pjata me ballakume merret nga njerëzit e dhëndrrit dhe ruhet. Nuk merret asnjë kokërr, sepse ballakumet janë të dhëndrrit e të nuses për natën e dytë të martesës.

  Nata e dytë kur fle dhëndrri me nusen

 Në natën e dytë nusja nuk e shtron dyshekun. Ajo rri me pjestarët e shtëpisë dhe dyshekun ia shtrojnë gratë e tjera të shtëpisë, duke kënduar këngën:

Ç’asht’ ky gëzim i madh sot, u shëqyr!

Ç’asht’ ky gëzim i madh sot, u shëqyr?
Asht’ gëzimi babës së vet, u shëqyr,
Marton birin e vet, u shëqyr,
Me dyshek e me jorgan të ri, u shëqyr,
Ja shtron birit të tij, u shëqyr!

Këngën e vazhdojnë duke përmendur emrat e gjithë pjestarëve të shtëpisë. Më pas, pasi gratë shtrojnë dyshekun e mbarojnë dhe këngën, vjen koha për të fjetur dhe gratë thërrasin nusen, gjoja sikur ka punë dhe e fusin në dhomë. Dhëndrri lejohet të shkojë për të fjetur. Në dhomë është dhe pjata me ballakume që e ka sjellë e ëma e nuses. Burrë e grua hanë ballakume aq sa duan dhe të tjerat i çukisin ose i coptojnë, duke i lënë në pjatë. Dhëndrri atë natë do të veshë të gjitha të linjtat që ia ka sjellë nusja dhe me to do të rrijë gjithë javën. Të nesërmen, kur të zgjohet, do të veshë këmishën që i ka sjellë e shoqja dhe do t’i japë asaj një dhuratë ari. Tepricën e ballakumeve që mbeten në atë dhomë, shkojnë të nesërmen plakat e shtëpisë, e marrin pjatën me copat e ballakumeve dhe ua shpërndajnë vajzave e djemve të asaj shtëpie ose dhe të fisit të tyre që janë në moshë martese, me qëllim që të gjejnë dhe ata sa më shpejt fatin dhe të martohen.
Dhëndrri, para se të dalë nga dhoma, do të shkojë në banjë e do të lahet sipas zakonit fetar, që të mos preket nga gjynahet, në qoftë se ka vepruar në dëfrim seksual me gruan. Këtë gjë ai duhet ta bëjë gjithnjë, ndërsa për gruan nuk ka shumë rëndësi të lahet pas dëfrimit seksual.
Kur dhëndrri del nga dhoma, i shfaqet përpara e ëma dhe e pyet: ”E, ore bir, si t’u duk nusja?” I biri i përgjigjet, duke i thënë: ”Pastë këmbën e mbarë!” E ëma gëzohet kur djali i jep këtë përgjigje, pasi nënkupton se ai gruan e do dhe e ka pëlqyer dhe se s’ka mendime shkurorëzimi.
Burri nuk lahet asnjëherë me gruan e tij. Dhëndrri, në natën e dytë që fle me gruan, para se të zgjohet, banja i përgatitet me ujë të ngrohtë nga pjestarët e shtëpisë. Kur del nga banja, ajo kontrollohet po nga pjestarët e shtëpisë, për të parë në se është derdhur uji i ngrohtë apo jo. Kur uji është derdhur, ata gëzohen, sepse kjo do të thotë se ai ka vepruar në dëfrim seksual me gruan. Herët e tjera ujin do t’ia përgatisë vetë e shoqa. Zakoni i të larit në banja primitive, duke mos qenë të ngrohta këto të fundit, sidomos në stinën e dimrit, bënte që burrat shpesh herë të sëmureshin e të vdisnin nga pleviti, pasi nuk kishte shumë ilaçe e doktorrë. Megjithë këshillat që mund t’u jepeshin, zakoni fetar ishte më i fuqishëm.
Po ashtu dhe beqarët, me ëndrrat e natës, duhej që të laheshin në banjat e qytetit, që të mos prekeshin nga gjynahet. Prandaj banjat e qytetit ishin me rëndësi të madhe për pastërtinë e trupit. Zakoni i të larit ekzistonte dhe në krahinat muslimane të Elbasanit. Fshatarët laheshin nëpër përrej, duke i hedhur nga një susak me ujë trupit. Në katundin Polis të Elbasanit laheshin vetëm nuset e porsamartuara. Në kohë mëgjesi shkonin në përrua e zhvisheshin lakuriq dhe, me anë të dorës lagnin të gjitha qimet e trupit, që të mos u mbetej asnjë qime pa u lagur. Pastaj ktheheshin në shtëpi dhe visheshin  e stoliseshin, si nuse të reja që ishin.

Krushkat në ditën e tretë të dasmës

Ditën e tretë të dasmës shkojnë krushkat për të parë nusen në shtëpinë e dhëndrrit. Ato mblidhen fillimisht në shtëpinë e nënës së vajzës, ku janë fqinjët dhe farefisi i asaj shtëpie. Pasi nderohen në shtëpinë e vajzës, nisen në grup për në shtëpinë e dhëndrrit. Krushkat kanë disa vajza të vogla me vete, të stolisura me veshje shqiptare dhe me vargje floriri në kraharor, të cilat u udhëheqin rrugën për në shtëpinë e dhëndrrit. Atje priten tek dera e shtëpisë nga njerëzit e tij dhe nga orkestra popullore, me nderime të mëdha. E ëma e vajzës nuk shkon krushkë por dërgon vajzat e veta dhe të afërm të saj.
Krushkat, për sa kohë rrinë në shtëpinë e dhëndrrit, qerasen 3 herë me llokume. Vallen e parë e hap e ëma e dhëndrrit ose ndonjë antare tjetër e shtëpisë, e cila kërcen një valle të bukur të Elbasanit. Pastaj orkestra lihet në dispozicion të krushkave.

Zakoni më i vjetër brenda familjes së dhëndrrit

Dhëndrri, në krye të 7 ditëve, para se të shkojë në gosti tek i vjehrri, do të armatoset përsëri, duke ia dhënë armët e ëma në kohë të mëngjesit, kur përgatitet të dalë nga dhoma. Ai rri në këmbë brenda derës së dhomës, bashkë me të shoqen dhe e ëma shkon në derën e dhomës, së bashku me nuset e shtëpisë, duke i patur ato majtas e djathtas. Ajo hap derën dhe e gjen të birin në këmbë. I jep armët e brezit, duke i thënë: ” Merri, bir, se të kanë hije, se nëna t’i ka beku’! Qofshin të forta armët e vatanit tonë për armiqtë!” I biri merr koburen, e fut në brez dhe i puth dorën së ëmës. Edhe nusja e tij dhe nuset e tjera i puthin dorën nënës së dhëndrrit. Atë ditë dhëndrri do ta  pijë kafen me nënën e vet dhe të tjerët. Atë ditë do të gatuhen petulla me mjaltë dhe do të bëhen urimet e rastit: “I mbajtsh me shëndet dhe qofshin të ëmbla e të bardha armët në brezin tënd dhe burofshin si brumi i bukës për nderin e të mirave e për vatanin tonë!”.
Po atë ditë dhëndrri shkon në pazar me armët në mes. Ai nuk i mban armët para të atit, ndonëse i ati e di një gjë të tillë, pasi i duket sikur i hedh nderin poshtë. Kur plaket, armët i nxjerr nga brezi e i fut në silahe. Ky zakon ishte krijuar pas pushtimit të Turqisë dhe ka qëndruar dy shekuj. Tani është zhdukur dhe nuk ekziston më.

Gostitë

Në ditën e 7-të të javës së dasmës, i ati i vajzës e thërret të dhëndrrin në gosti për darkë. Dhëndrri shkon në gosti së bashku me nusen dhe me 7-të vetë të fisit që i ka më afër. Kur shkojnë në shtëpinë e të vjehrrit, ata futen e ulen në dhomën e caktuar, ku priten me nderime. Gratë rrinë në një dhomë të veçantë. Në fillim, të ftuarve u nxirret nga një gotë (bardhak) sherbet dhe, më pas, nga një kafe. Pas pak  ftohen për të ngrënë bukë. Këtë ftesë e bën plaku që është caktuar për atë gosti dhe shtrohet sofra me të gjitha gjellët. Të gjithë hanë e pinë. Pas buke, del dhe një herë tabakaja me kafe. Atë natë buka e gjella janë të bollshme, si në ditën e dasmës. Nusja fle në shtëpinë e nënës dhe të babait, ndërsa dhëndrri shkon në shtëpinë e tij, së bashku me njerëzit e tjerë, të cilët shkojnë secili në shtëpinë e vet. Nusja vazhdon të rrijë tek i ati edhe të nesërmen në drekë. Pas dite, atë e dërgojnë në shtëpinë e dhëndrrit, të shoqëruar nga një grua.
Pas 10-15 ditësh, babai i vajzës e thërret pësëri dhëndrrin në gosti. Ai shkon së bashku me 2-3 vetë e me nusen. Në bazë të zakonit, nusja, me dëshirë apo pa dëshirë, duhet të flejë përsëri tek i ati. Dhëndrri pritet me ndere, si  në gotinë e parë, ashtu dhe në të dytën.
Ka dhe një gosti të tretë, ku dhëndrri thirret pas 17-18 ditësh. Ai shkon në këtë gosti vetëm me të shoqen. Atë natë, dhëndrri, po të dojë, mund të flejë në shtëpinë e të vjehrrit. Dhe, pas këtyre gostive, atë e thërrasin në gosti familjet e tjera të afërta të fisit të vjehrrit.

Elbasaniflash.al

Burimi :web