Trafiku i “Peugeot-ve” nga Kapshtica, reagon policia greke: Hetimi nisi në mars, janë sekuestruar 8 automjete

0
125

Policia greke ka reaguar këtë të premte pas një operacioni të përbashkët me policinë shqiptare, e cila ka çuar në sekuestrimin e automjeteve të vjedhura, 1 në Greqi dhe 7 në Shqipëri, ndërkohë që 2 ende nuk janë gjetur. Operacioni çoi në arrestimin në Shqipëri të Maradona Cenollit, 32 vjec dhe pezullimin nga detyra të 4 punonjësve të policisë Korçë. Sipas komunikatës së policisë greke, hetimi ka nisur që në muajin mars kur në territorin grek u sekuestruan dy automjete luksoze në tentativë për të hyrë në Shqipëri, ndërsa policia shqiptare ka sekuestruar 7 automjete të tjera, ku nga fotografitë e publikuara nga policia greke, rezultojnë automjete të sekuestruara jo vetëm në Korcë por edhe në Sarandë.

Konkretisht sipas policisë greke në 31 mars 2023 në Follorinë, në tentativë për të hyrë përmes Kapshticës në Shqipëri është sekuestruar një fuoristradë tip “Peugeot”, e deklaruar e vjedhur në 11 mars 2023 në Komisariatin e Pallinit në Greqi. Në pranga ra drejtuesi i mjetit, shqiptar 31 vjec. Bashkë me të u sekuestrua edhe një “Mercedes-Benz” luksoz dhe u arrestua drejtuesi shqiptar 43 vjec, i cili shoqëronte automjetin e vjedhur.

Hetimi në bashkëpunim me palën shqiptare zbuloi kalimin në Shqipëri edhe të 9 automjeteve të tjera, kryesisht të së njëjtës markë fuoristradë “Peuget”, të cilat ishin vjedhur në Greqi. U identifikua shtetasi Maradona Cenolli 32 vjec, i cili kryente trafikimin e mjeteve në Shqipëri përmes targave false, leje qarkullimi false dhe numër të falsifikuar. Vlera e secilit mjet llogaritët në 30.000 euro ndërsa dëmi total 300.000 euro. Nga 9 automjetet e vjedhura, 7 u sekuestruan nga policia shqiptare nga të cilat 6 në Korcë dhe 1 në Sarandë./abcnews.al