Procedohen penalisht 2 shtetas që dyshohet se trafikuan në Shqipëri, automjete me vlerë rreth 90 000 euro, të vjedhura në Zvicër dhe në Itali.
Arrestohet 1 shtetas që transportonte kundrejt pagesës, 3 emigrantë që synonin të kalonin ilegalisht, në shtetet e BE-së.
Sekuestrohen 2 automjetet e trafikuara dhe automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët.
Si rezultat i punës operacionale dhe asaj operative, me fokus konstatimin dhe goditjen e rasteve të trafiqeve dhe kalimit të kundërligjshëm të kufijve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve finalizuan 2 faza të tjera operacioneve:
-“Stolen Line”, në kuadër të të cilit nisi procedimi penal për shtetasit:
•M. S., 36 vjeç, pasi dyshohet se ka trafikuar në Shqipëri, 1 automjet tip “Benz”, me vlerë rreth 80 000 euro, i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Zvicër;
•E. M., 29 vjeç, i cili dyshohet se ka trafikuar në Shqipëri, 1 automjet tip “Opel”, me vlerë rreth 10 000 euro, i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Itali.
-“Relay”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi O. T., 36 vjeç, banues në Krujë, pasi u kap duke transportuar me automjet, 3 emigrantë që synonin të lëviznin në mënyrë të kundërligjshme, drejt shteteve të BE-së.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.


