Një aksident tragjik i ka prerë jetën në mes një të riu italo-shqiptar. Mësohet se ngjarja e rëndë u regjistrua mbrëmjen e së dielës, në shinat e stacionit Cesate, ku 19-vjeçari kaloi përmbi shinat, por treni e mori para.
Sipas asaj që mediat vendase raportojnë thuhet se e gjithë ngjarja ndodhi në orën 21:30, në periferi të Milanos, ku i riu italo-shqiptar, për të shkuar të miqtë e tij të cilët ishin në anën e kundërt, në vend që të përdorte nënkalimin, kaloi shinat.
Në atë moment treni i linjës Malpensa Express po vinte me shpejtësi dhe fatkeqësisht e shtypi të riun.
Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e policisë, zjarrfikësit dhe ambulanca, por për fat të keq nuk arritën të bëjnë asgjë për 19-vjeçarin. Zjarrfikësit u përballën me një skenë të tmerrshme, ata nxorën trupin e të riut plotësisht të shqyer nga ingranazhet.
Shoferi i trenit dhe miqtë e tij që po e prisnin në anën tjetër të stacionit u tronditën. Ndërkohë, autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.