Një parakalim i gabuar nga një 26-vjeçar është shkaku i aksidentit tragjik në Rrugën e Kombit ku humbën një fëmijë 3-vjeçar dhe i ati. I riu është vënë në pranga në Spitalin e Traumës ku ndodhet në gjendje të rëndë edhe e mbijetuara e familjes Prenga.
Sende personale, copa makinash dhe mbetje djegie mbi asfalt si dëshmi tragjedisë me dy viktima në Rrugën e Kombit.
Gjurmët e aksidentit ku humbi jetën Shkurt Prenga dhe i biri 3-vjeçar, ndërsa bashkëshortja e tij Fabiola mbeti e plagosur rëndë janë ende të dukshme.
Ekspertët e kriminalistikës me prokurorinë në krye u rikthyen sërish në vendin e ngjarjes këtë të martë.
Kryen matje e veprime të tjera hetimore për të dalë në përfundime për shkakun e aksidentin.
Tre anëtarët e familjes Prenga, sipas të dhënave po udhëtonin me makinën e tyre drejt Milotit, për të vizituar familjarë para se kryefamiljari të ikte drejt Italisë për punë.
Mjeti tjetër që u përfshi në aksident vinte drejt Mirditës.
Përplasja ka ndodhur në korsinë veriore, çka ngre dyshime për një parakalim të gabuar nga drejtuesi i 26-vjeçar i “Benzit” që më pas shpërtheu në flakë.
Sinjalistika në këtë segmend të rrugës Milot-Rrëshen e ndalon parakalimin, ndaj Arlind Mihaj, banues në Tropojë, u vu në pranga në Spitalin e Traumës ku po trajtohet për plagët e marra.
Ndaj tij është ngritur akuza “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor “.
Në gjendje të rëndë në Spital mbetet edhe e mbijetuara e vetme e familjes Prenga.
Parakalimet e gabuara dhe shpejtësia e lartë në vazhdimësi është bërë shkak për aksidente në Rrugën e Kombit.
Në janar të këtij viti, një familje me katër anëtarë nga Kosova u shua në një aksident të ngjashëm.
Aksidentet kanë shkaktuar bilanc tragjik këtë vit.
Nga janari në nëntor, në rrugët e vendit kanë humbur jetën të paktën 176 persona.