Janë gjetur kutitë e zeza të avionit që u përplas me një helikopter ushtarak mbrëmjen e së mërkurës në Uashington DC. Regjistruesit janë aktualisht në laboratorët e Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit për analiza, dhe pritet të hedhin dritë mbi atë që shkaktoi tragjedinë ajrore.
Raportet paraprake ngritën pyetje nëse mungesa e personelit në kullën e kontrollit të trafikut ajror në aeroportin e Uashington DC luajti një rol në fatkeqësinë më të keqe të aviacionit të Shteteve të Bashkuara në vite.
Avioni i American Eagle u përplas me helikopterin Black Hawk të ushtrisë amerikane teksa po afrohej në aeroportin Kombëtar të Reganit dhe më pas ranë në lumin Potomac, duke vrarë të gjithë 64 personat në avion, së bashku me tre ushtarë në helikopter. Ekipet deri më tani kanë nxjerrë 40 trupa nga avioni dhe nga helikopteri.
Normalisht dy persona menaxhojnë kontrollin e trafikut ajror për helikopterët dhe aeroplanët që fluturojnë në zonë – një nga hapësirat ajrore më të kontrolluara në botë – por vetëm një person po e bënte këtë të mërkurën në momentin e rrëzimit, sipas burimeve të cituara nga CBS News.
Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) tha se një raport paraprak do të lëshohet brenda 30 ditëve./abcnews.al