Tragjedia në Itali/ U helmuan nga rrjedhja e gazit, familja shqiptare ishte transferuar në shtëpinë e re vetëm pesë muaj më parë

0
2

Një tragjedi e rëndë ka tronditur Italinë, ku katër anëtarë të një familjeje shqiptare humbën jetën pas një rrjedhjeje monoksidi karboni, të shkaktuar nga një kaldajë me defekt në shtëpinë e tyre.

Një detaj që ka shtuar tragjedinë është fakti se familja Kola kishte blerë këtë shtëpi vetëm një vit e gjysmë më parë dhe ishin zhvendosur aty vetëm pesë muaj më parë, shkruan La Repubblica.

Viktimat janë katër anëtarë të familjes me origjinë shqiptare: Arti Kola, 48 vjeç, babai i familjes; Jonida Kola, 43 vjeç, nëna; Hajdar Kola, djali 22-vjeçar dhe Xhesika Kola, vajza 15-vjeçare. Ata u gjetën të pajetë në shtëpi nga vëllai i kryefamiljarit, i cili kishte arritur në vendngjarje pasi familja nuk po u përgjigjej telefonatave.

Kur karabinierët mbërritën, ata trokitën disa herë në derën e shtëpisë, por nuk morën përgjigje. Ata e hapën derën me forcë dhe, sapo hynë, përballë tyre ishte një skenë dramatike: katër trupa të pajetë të shtrirë përtokë.

Vëllai i kryefamiljarit humbi ndjenjat për shkak të helmimit me monoksid karboni, por arriti të largohej nga shtëpia përpara se të pësonte të njëjtin fat dhe ngriti alarmin për ndihmën e shpejtë.

Ai u dërgua menjëherë në spitalin Cisanello në Piza, në gjendje kritike, por është jashtë rrezikut për jetën. Po ashtu, dy oficerë të karabinierëve që morën pjesë në shpëtimin e viktimave pësuan dehje të lehtë, por janë jashtë rrezikut.