Një ngjarje tragjike ka ndodhur paraditen e sotme në Durrës.një skaf i policisë kufitare e Durrësit ka konstatuar dhe ka transportuar në port dy shtetas nga Gana me banim në Angli, një vajzë dhe një djalë, të cilët kanë rënë në det nga motori i uji pas një manovre të gabuar.
34-vjeçari deklarohet se ka humbur jetën, ndërsa vajza, 31 vjeç u transportua me ambulancë në spital, në gjendje shoku.
Pritet që t’i bëhet autopsia trupit të viktimës, i cili është transportuar në morgun e Tiranës.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 11:15, të datës 01.06.2025, shërbimet e Policisë Kufitare Port Durrës janë njoftuar se, në zonën përballë Shkëmbit të Kavajës, dy shtetas që lundronin me një mjet lundrues Jet Ski, dyshohet se gjatë manovrave kanë humbur kontrollin mbi mjetin lundrues dhe kanë rënë në ujë.
Shërbimet e Policisë Kufitare, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar me mjet lundrues menjëherë në ndihmë të dy shtetasve që kishin rënë në ujë, duke bërë transportimin e tyre për në port, me qëllim transportimin drejt spitalit. Nga verifikimet paraprake të ekipit të urgjencës së spitalit, që ishte në pritje në port, rezultoi se njëri prej shtetasve që lundronin me Jet Ski, konkretisht shtetasi S. O., 34 vjeç, banues në Angli, kishte humbur jetën, ndërsa shtetasja V. B., 31 vjeçe, banuese në Angli, u transportua menjëherë për në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.