Tragjike në Kosovë, gjendet e pajetë gruaja shtatzënë në Klinë! Policia nis hetimet

0
2

Grupi i kërkimit në fshatin Grabanicë të Klinës ka gjetur këtë të dielë, më 7 dhjetor, trupin e pajetë të një gruaje, e cila mbrëmjen e kaluar ishte raportuar nga familjarët si e zhdukur.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës konfirmoi se trupi u gjet rreth orës 13:15 në lumin e Bardhë, afër urës së fshatit, pas kërkimeve intensive nga njësitë policore.

“Mbrëmë rreth orës 19:00, familjarët raportuan se viktima kishte dalë nga shtëpia dhe nuk gjendej. Rasti ishte iniciuar si ‘person i zhdukur’. Sot gjatë kërkimeve, trupi i pajetë u gjet rreth një kilometër larg urës së fshatit,” tha zëdhënësi. Sipas mediave në Kosovë, gruaja ishte shtatzënë.

Mjeku ka konstatuar vdekjen në vendngjarje, ndërsa hetuesit policorë dhe prokurori kanë kryer procedurat e para hetimore. Me urdhër të prokurorit, trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, për të sqaruar rrethanat e vdekjes.

Prokuroria bëri me dije se në vendin e ngjarjes kanë marrë pjesë edhe njësitë e zjarrfikësve për të ndihmuar në nxjerrjen e trupit dhe se policia ka marrë autorizim për të kryer të gjitha veprimet hetimore për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Policia vazhdon hetimet për të përcaktuar shkaqet e vdekjes dhe për zbardhjen e plotë të rastit.

/vizionplus.tv