Trajneri i Kroacisë, Zlatko Dalic, ka folur për kanalet zyrtare të kombëtares së tij pas barazimit 2-2 ndaj Shqipërisë.Ai deklaroi se në këtë përballje skuadra e tij u shfaq me dy fytyra, me një pjesë të parë të keqe, ndërsa në fraksionin e dytë u shfaq më e vendosur.
“Ishin dy pjesë të ndryshme. E para ishte e keqe, pësuam gol dhe nuk mund të bënim asgjë sepse ishim të ngadaltë, kundërshtari ishte i motivuar dhe pas topit. Bëmë shumë gabime, humbëm shumë topa. Në pjesën e dytë u shfaqëm më mirë. Më të vendosur, ne ndryshuam me të vërtetë për të arritur në avantazhin 2-1, por në shtesë na barazuan. Gjëja më e rëndësishme është se ne jemi ende gjallë dhe ndeshja e fundit vendos gjithçka”-tha fillimisht Dalic
Trajneri i kroatëve deklaroi ndër të tjera se pas golit të dytë synuan të thellonin avantazhin dhe për pasojë u vendosën gabim, ndaj dhe e pësuan golin e dytë.
“Ne u tërhoqëm më kot, u pozicionuam keq dhe më pas ata patën mundësinë për golin e dytë, pas shumë vështirësive. Ne donim golin e tretë dhe vazhduam presionin lart, por efekti ishte katastrofik për ne“-shtoi ai.
Më tej, tekniku i Kroacisë theksoi se nuk e prisnin që grupi të rezultonte kaq i vështirë për ta.
“Kampionati Europian është një histori ndryshe nga Kupa e Botës. Nuk e prisnim të ishte kaq e vështirë, ne jemi duke luftuar dhe ndoshta kjo është pikërisht arsyeja. Është një turne shumë konkurrues dhe i balancuar”-përfundoi Dalic./Super Sport
Top Channel