Trajneri zviceran kritikon Shaqirin: Ka fat, po bëhet më i pasur e po fiton trofe në kurriz të ekipit

0
263

Ish-mbrojtësi dhe trajneri zviceran, Arno Rossini, e ka kritikuar ashpër Xherdan Shaqirin, duke thënë se ai nuk është kampion, por është thjesht një lojtar i mirë që ka pasur shumë fat duke luajtur me skuadra të mira, të cilat kanë ndikuar që atij t’i rritet kabineti i trofeve dhe shuma e parave në bankë.

Kur Stoke City ra nga Premierliga, Liverpooli e shfrytëzoi një klauzolë në kontratën e tij për ta transferuar përfaqësuesin zviceran me origjinë shqiptare. Kështu, Xherdan Shaqiri arriti ta fitojë sezonin e kaluar titullin e Ligës së Kampionëve, ndërsa këtë sezon Premierligën

Megjithatë, përderisa ai e luajti një rol më të madh në skuadrën e Liverpoolit sezonin e kaluar, Shaqiri i ka bërë vetëm gjashtë paraqitje gjatë gjithë këtij sezoni – së fundi në ndeshjen e janarit kundër Tottenhamit, kur luajti vetëm një minutë. Kjo ka bërë që ish-futbollisti zviceran Arno Rossini ta kritikojë ashpër Shaqirin.

“Sezoni aktual i tij? Mizeri. Duke pasur parasysh gjithçka, kjo më shtyn të besoj që ai s’e jep gjithnjë më të mirën nga vetja. Nëse jo si titullar, ai mund ta kishte fituar një rol të një rezervisti të rëndësishëm, si opsioni i parë nga stoli. Por, në vend të kësaj, s’ka asgjë”, ka thënë zvicerani.

“Vetëm thërrime për një situatë zhgënjyese. Natyrisht, Xherdan po e mbush kabinetin e tij të trofeve dhe po i rritet llogaria në bankë në mënyrë dramatike. Në dhjetë vjet, edhe pse ka luajtur për skuadra të mëdha, s’e di sa njerëz do ta mbajnë mend”.

“Xherdani nuk është kampion. Ai është një lojtar i mirë që ka pasur fatin të jetë ushtar në ekipe fituese. Liverpooli do ta shiste menjëherë po të kishte mundësi. Nuk është e thjeshtë. Paga e lartë, lëndimet e shpeshta dhe fakti që ai s’ka treguar asgjë nga vetja bëjnë që të ketë pak të interesuar për të”.

“Mendoj se Reds do të detyrohen ta mbajnë atë në skuadër për tre vjet. Ndoshta mund ta dërgojnë si huazim në ndonjë klub që do të pranojë ta paguajë një pjesë të pagës së tij. Mirëpo, të transferohet diku tjetër në mënyrë permanente… kjo më duket e vështirë”,

“Ai do t’i festojë sukseset e skuadrave të tij. Por, ai duhet të skuqet dhe të pendohet që e ka jetuar të gjithë karrierën pa qenë protagonist. Ndoshta ai do të kthehet në Basel, ndoshta do t’u afrohet bankave zvicerane, ku i ka siguruar asetet e veta”. /Gazeta Express/