Analisti Skënder Minxhozi ka deklaruar se lëvizjet e qarqeve që Partia Socialiste ka bërë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë lojëra tavoline.
Ai ka theksuar në emisionin ‘Real Story’ se Partia Socialiste e ka humbur totalisht pigmentin e saj, nga vjen dhe çfarë përfaqëson.
“Është problem fenomeni. Lëvizjet e qarqeve për mua janë lojëra tavoline. Unë mendoj që ka një problem tjetër. PS është partia më e madhe në Shqipëri. Ka një shtrirje që edhe në ditët e saj më të mira nuk e kishte PD. Aq më tepër pas 12 vitesh në pushtet, krahasimi që Rama bën me Berishën është i padrejtë. Berisha është ai që dihet, i mbyllur atje ku është. PD është e thërrmuar. Ka disa parti që po tentojnë të lindin nga ai grupim. Dhe në këto kushte Rama mund të marrë si në ’97 dhe më shumë se në ’97. Nuk matet një makinë sportive me një makinë utilitare. Është një karrocë me kushineta tani.Fenomeni që po ndodh në PS tregon që partia e ka humbur totalisht pigmentin e saj, nga vjen dhe çfarë përfaqëson. Rekrutimi i atyre që quhet zyrtar partie nuk është për mua. Erion Braçe është i vetmi. Të gjithë ata zotërinj kur duan të gjejnë një socialist të vërtetë gjejnë Braçen, Fatmir Xhafën dhe dy tre të tjerë, por realisht partia ka ndryshuar totalisht identitet për keq. Zotërinjt që u rekrutuan ministra, nuk mund të kuptojë se një parti, rendin, mbrojtjen dhe lekët, mos t’ia lërë figurave të veta politike, por t’i marrë hua te teknokratët, që janë fenomen i mazhorancave të rrezikuara”, tha analisti.