Karikatorët e tre automatikëve të modelit kallashnikov, që policia sekuestroi në ish-fabrikën e Salcës në Elbasan, ishin të mbushur plot me fishekë dhe të bërë gati për të qëlluar.
Rezulton se dy nga armët ishin ngarkuar me 28 plumba secila, ndërsa kallashi i tretë ka qënë i mbushur me 29 plumba të diametrit 7.62 mm.Në total policia sekuestroi 85 plumba, që ishin bërë gati për t’u zbrazur në një atentat të mundshëm, në qytetin e Elbasanit. Të gjitha armët janë gjendur në gjendje të mirë teknike-balistike.
“Ora News” hedh dritë mbi detaje të reja për ngjarjen e 18 shkurtit të ndodhur në lagjen “Emin Matraxhiu” në Elbasan, ku një BMW X6 u zbulua plot me armë e për të cilën u arrestua Arben Spahiu dhe Arsen Preçi, dy njerëz të afërm të Erjon Alibej, i ndaluar nga SPAK-u për një seri ngjarjesh kriminale.
Brenda makinës BMW X6, policia ka fiksuar gjurmë gishti dhe 17 tamponë të faktorëve biologjikë dhe ADN-je, të cilat janë çuar për ekzaminim në laboratorin shkencor.
Ndërsa përmes pluhurit daktiloskopik në xhamin e pasqyrës së mbrojtëses së diellit në krahun e shoferit, është zbuluar një gjurmë gishti. Nisur nga kjo situatë, mbrojtësja nga dielli është sekuestruar në cilësinë e provës materiale për ekzaminime në kushte laboratorike në Tiranë.
Makina e ngarkuar me armë, municion dhe dy shishe dy litroshe benzine, rezulton e vjedhur në qytetin e Shkodrës, ndërsa targat AA 347 BP janë deklaruar të vjedhura në Elbasan në datën 15 shtator 2022 dhe i përkasin një automjeti tip “Opel Zafira”.
Në pjesën e përparme të mjetit, në vendin e tavullës së duhanit u gjet dhe u sekuestrua një bisht cigare me ngjyrë të bardhë me mbishkrim pjesërisht të dukshëm i ngjashëm me atë të llojit “Slims”.
Menjëherëpas ngjarjes nga ana e shërbimeve policore është bërë krehja e zonës për të gjetur sende e prova të tjera materiale dhe në vendin e quajtur afër ish-konservimit, 50 metra pranë restorant “Attika” gjenden 2 kazanë plehrash, të cilët po zbrazeshin nga disa punonjës të pastrimit.
Një nga këta persona i quajtur Sajmir Shehu, i ka treguar punonjësve të policisë që brënda në njërin prej kazanëve të plehrave kishte gjetur një çantë marsup, të cilën e kishte lënë në tokë.
Çanta u gjend jo shumë larg vendit të zbulimit të makinës, ku brenda saj u gjend një çelës me stemën e BMË një armë zjari, edhe një çelës me emblemën (stemën) të markës BMW.
Arma e zjarrit e tipit “Glock” ishte e paisur me 12 copë fishekë ndërsa mes sendeve gjendej dhe një kartë identiteti e falsifikuar greke me emrin Kostandinos Lolos, me fotografi të Arben Spahiut. Mes të tjerash është gjendur dhe një sasi prej 2600 euro.
Në bazë të operacioneve operative policia ka shkuar në banesën e Arsen Preçit dhe ky person nuk ka qenë në banesën e tij, por duke ruajtur në taracën e godinës ss banesës, e cila është disa metra larg vendit të ngjarjes.
Nga këqyrja paraprake e kamerave dhe nga informacionet e siguruara në rrugë operative ligjore, dyshohet që Arsen Preçi ka qenë drejtuesi i automjetit BMW X6 dhe dyshohet se ka qenë, po ai që ka hedhur çantën e gjetur në koshin e plehrave.
Arsen Preçi, jeton shumë afër vendit të ngjarjes dhe ai është lidhje e ngushtë e familjes së Erion Alibej dhe Arben Spahiu. Policia ka shkuar dhe në banesën e Arben Spahiut, e cila ndodhet në katin e 5 të një pallati.
Në raportin e shërbimit rezulton se në momentin kur punonjësit e policies, kanë shkuar në banesën e Arben Spahiut, ky person i është drejtuar punonjësve të policisë me fjalët:
“…përse duhet të vini në banesën time për makina, që gjeni rrugëve dhe s’kam punë unë me to…”.
Gjithashtu dy dokumentet si pasaportë dhe leje drejtimi në gjuhën greke të gjetura në çantën e hedhur në koshin e plehrave kanë fotografinë e Arben Spahiu dhe po në atë çantë ndodhej edhe çelësi i automjetit BMË X6, në të cilën u gjetën tre armët e zjarrit.
Nisur nga sa më sipër policia ka krijuar dyshime të forta se Arben Spahiu, ka qenë duke siguruar kushtet dhe mjetet për të kryer një ngjarje të rëndë kriminale dhe Arsen Preçi, ka qenë ai që ka lënë automjetin tip “BMË X6” në vendin ku u gjet nga shërbimet policore.
Aktualisht për Arben Spahiun gjyqtari i Elbasanit Elis Dine, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”. Ndërsa për Arsen Preçin gjyqtari ka vendosur “arrest në burg” me afat 60 ditor