Gjashtë ditë pas përfundimit të mandatit si kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani zhvilloi një takim me studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ku ndau përvojat dhe sfidat e udhëheqjes së SPAK gjatë tre viteve të fundit.
Gjatë këtij takimi, Dumani bëri një pasqyrë të arritjeve të institucionit nën drejtimin e tij, duke theksuar se më shumë se gjysma e çështjeve që përfshijnë zyrtarë të lartë janë përfunduar me vendim të formës së prerë. Ai vuri në dukje se puna intensive dhe pavarësia e prokurorëve kanë qenë kyçe për rezultate të tilla, pavarësisht presioneve nga politika.
Një shqetësim i Dumanit ka qenë dhe mungesa e mundësisë për rikandidimin, shqetësim ky i përsëritur edhe më herët. Sipas tij kjo mungesë mund të krijojë boshllëqe në sistem, pavarësisht investimit të bërë në trajnimin profesional të tyre.
Ndër të tjera ai u shpreh se tre vitet e fundit të karrierës së tij në sistemin e drejtësisë kanë qenë të mbushura me sfida, të cilat sipas tij i përballoi duke mbajtur qëndrim të pavarur dhe duke vepruar në përputhje me ligjin dhe provat.
“Jam një prokurori si gjithë të tjerët të posaçëm të cilit ju dha mundësia në 2022 të drejtojë këtë institucion. Kushdo prej nesh mund ta bënte këtë. Ka qenë vërtet nder për mua të drejtoj këtë institucion këto tre vite, besoj dhe ju e keni ndjekur kanë qenë vit të vrullshme. Unë të tillë e kam ndërtuar karrierën time që nga dita e parë që e kam futur këmbën në sistemin e drejtësisë, Jam në vitin e 26 si prokurori kam ushtruar detyrën, kur kam filluar si oficer i policisë gjyqësore, gjithmonë i pavarur, nuk ua kam dhënë mundësinë askujt të ndërhyjë në punën time dhe jam përpjekur ti qëndroj besnik ligjit dhe provave dhe besoj se këto vite si drejtues kam dhënë prova se ky është karakteri im dhe kështu jam formuar unë në vite”, tha Dumani.
Tre vitet e drejtimit të Dumanit janë përshkruar si periudha e vrullshme të reformës dhe forcimit të SPAK, ku puna e tij dhe e ekipit shpesh është perceptuar si “makth” për zyrtarët e lartë të përfshirë në çështje të rëndësishme.


