Në ditën e pestë të protestës, tregtarët e Tregut të Madh të Vlorës janë mbledhur sërish kundër vendimit për zhvendosjen nga vendi ku ushtrojnë aktivitetin e tyre aktual.
Ata shprehen se nuk janë kundër zhvillimit, por spostimi i tyre drejt Jallisë së Nartës është shkatërrim, pasi nuk ka asnjë kusht dhe është gati 3 km larg, gjë që sjell mbyllje perfundimtare te aktivitetit te tyre.
Paraditen e sotme, protesta u zhvendos përpara Teatrit “Petro Marko”, ku ishte planifikuar një event ndërkombëtar, në të cilin pritej të merrte pjesë edhe Kryeministri Edi Rama.
Në vend të tij, mbërriti ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali. Tregtarët shfrytëzuan këtë moment për të ngritur zërin e tyre, duke protestuar gjatë kalimit të ministres.
Spiropali ndaloi dhe u kthye për të komunikuar direkt me protestuesit, duke dëgjuar shqetësimet e tyre.
Ministrja premtoi të ndërmjetësojë me institucionet përgjegjëse dhe kryetaren e bashkisë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën.
Pas këtij takimi të shkurtër, Spiropali u largua për të marrë pjesë në eventin ndërkombëtar, ndërsa tregtarët vazhduan protestën, duke kërkuar dialog të vazhdueshëm dhe zgjidhje konkrete nga autoritetet lokale.


